Ndryshimet klimatike dhe degradimi mjedisor përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për burimet natyrore që Europa ka nevojë për sigurinë e saj ekonomike, paralajmëroi sot Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA), sipas “Reuters”.
Sipas raportit të saj “Mjedisi i Evropës 2025”, biodiversiteti në kontinent po bie ndjeshëm për shkak të prodhimit dhe konsumit të paqëndrueshëm, veçanërisht në sektorin ushqimor.
Mbi 80% e habitateve të mbrojtura ndodhen në gjendje të dobët ose të keqe për shkak të shfrytëzimit të tepërt të burimeve, ndotjes dhe specieve pushtuese, ndërsa burimet ujore janë nën presion të madh.
“Degradimi i botës sonë natyrore vë në rrezik mënyrën evropiane të jetesës,” thuhet në raport. “Evropa varet në mënyrë kritike nga burimet natyrore për sigurinë ekonomike, por këto tani po kërcënohen nga ndryshimet klimatike dhe dëmtimi mjedisor”.
Evropa, kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, po përballet me thatësira të rënda dhe fenomene ekstreme të motit.
Megjithatë, qeveritë po përpiqen të balancojnë mbrojtjen e mjedisit me konkurrueshmërinë industriale, ndërsa përçarjet midis vendeve të pasura dhe më të varfra po pengojnë arritjen e objektivave të rinj për uljen e emetimeve.
Sipas drejtoreshës ekzekutive të EEA-së, Leena Yla-Mononen, “dritarja për veprim domethënës po ngushtohet dhe pasojat e vonesës po bëhen gjithnjë e më të prekshme”.
Ajo paralajmëroi se Evropa po afrohet me “pika kritike”, jo vetëm në ekosisteme, por edhe në sistemet sociale dhe ekonomike që mbështesin shoqëritë tona.