Një natë e trazuar për Liverpoolin në Stamboll. Rreth orës 3 të mëngjesit, tifozët e Galatasaray organizuan një spektakël të madh fishekzjarrësh jashtë hotelit ku qëndronin “The Reds”, vetëm pak orë para sfidës së sotme në fazën e grupeve të Champions League.
Zhurma e fuqishme dhe dritat e fishekzjarrëve prishën gjumin e lojtarëve, mes të cilëve edhe Mohamed Salah, Florian Wirtz dhe Alexander Isak. Për ta, qetësia e natës u kthye në një makth të vërtetë, duke e bërë përgatitjen për duelin e sotëm edhe më të vështirë.
Ky ishte vetëm “përshëndetja” e parë e tifozëve turq, të cilët njihen prej kohësh për atmosferën e zjarrtë në tribuna. Në Rams Park pritet një mjedis i jashtëzakonshëm, me koreografi, flakadanë dhe brohoritje që do të krijojnë një skenë të frikshme për kundërshtarin.
Galatasaray, kampion në fuqi i Turqisë dhe fitues i tre titujve të fundit, ka nisur sezonin në mënyrë perfekte me shtatë fitore në shtatë ndeshje. Me yje si Ilkay Gundogan, Leroy Sane, Victor Osimhen dhe Mauro Icardi, ekipi i trajnerit Ozan Burak synon një tjetër sukses madhështor.