Federata e Futbollit e Serbisë është gjobitur nga FIFA, kjo i ka çartuar serbët në prag të ndeshjes me Shqipërinë e cila luhet me 11 tetor (20.45) në Leskovc në kuadër të Grupit K të kualifikimeve për Kampionatin Botëror.
Media serbe “Informer”, është e elektrizuar me titullin e mediumit kroat “24 Sata” e cila tallet me dënimin që morën serbët.
"Me shqiptarë para një grushti njerëzish", është titulli i mediumit kroat.
FIFA ka ndëshkuar Federatën e Futbollit të Serbisë për incidentin që lidhet me rendin dhe sigurinë, për shkak të sjelljes së pahijshme dhe diskriminuese të tifozëve gjatë ndeshjes kualifikuese me Anglinë.
“Portali kroat ‘24 Sata’ nuk mund ta fshehë gëzimin për ndëshkimin e Serbisë, prandaj titulli i lajmit është: "FIFA i ka dhënë një ndëshkim të madh Serbisë! Me shqiptarë para një grushti njerëzish"”, shkruan media serbe.
FIFA e ka gjobitur Federatën Serbe të Futbollit me 80,000 franga zvicerane (85,422 euro) dhe ka urdhëruar uljen e kapacitetit për ndeshjen e tyre të radhës me 20 për qind e vendeve për ndeshjen Serbi-Shqipëri në Leskovc, dhe kapaciteti do të jetë vetëm 6,500 persona.