Ndeshja e sotme mes Atalantës dhe Klub Bryzh do të jetë e veçantë për Berat Gjimshitin.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare rreshtohet titullar në këtë takim, duke qenë si zakonisht një nga pikat kyçe të prapavijës së klubit italian.
Duke u aktivizuar në këtë sfidë, Gjimshiti do të vendosë një gur themeli të rëndësishëm për futbollin shqiptar.
Kjo do të jetë ndeshja e tij e 30-të në Ligën e Kampioneve në fazën në grupe e më tej të turneut, pa llogaritur kualifikueset, duke qenë ai rekordmeni absolut për futbollistët e Kombëtares shqiptare.
Në karrierën e tij në këtë turne, ai regjistron dhe një gol të shënuar, atë ndaj Shakhtar Donjeck në edicionin e kaluar të Ligës së Kampioneve, po në fazën në grup të saj.
Në vendin e dytë në renditjen e të gjitha kohëve është Taulant Xhaka me 26 ndeshje i ndjekur nga Besnik Hasi dhe Elseid Hysaj me nga 21 ndeshje dhe Kristjan Asllani me 19 ndeshje të luajtura në këtë turne.