Milani rifiton tifozët

- Bota Sot

Milani rifiton tifozët

San Siro u kthye në një arenë të vërtetë fut bolli, me një atmosferë që nuk shihej prej kohësh.

Milani i Masimiliano Alegrit mposhti Napolin 2-1, duke dhuruar një pjesë të parë spektakolare dhe duke rezistuar me vendosmëri në pjesën e dytë, edhe pasi mbeti me dhjetë lojtarë. Ishte një fitore që shkon përtej tre pikëve: kuqezinjtë treguan shpirt gare, unitet dhe identitet të qartë, diçka që mungonte prej disa sezonesh.

Merita kryesore shkon për Alegrin, i cili ka ditur të ribëjë një grup të bashkuar dhe të gatshëm për të luftuar në çdo situatë. Vitin e kaluar, as Fonseka dhe as Konseisao nuk arritën të krijojnë këtë ndjesi solidariteti, ndërsa sot duket se Milani ka rigjetur shpirtin e tij. Lojtarët luajnë për njëritjetrin, sakrifikojnë dhe mbrojnë çdo centimetër fushe. Në këtë transformim spikasin dy emra: Luka Modriç dhe Kristian Pulisiç.

Kroati, pavarësisht moshës 40-vjeçare, vazhdon të mahnitë me klasin dhe përkushtimin e tij. Në mesfushë është gjithmonë pika e referimit, i gatshëm të japë qetësi me topin dhe të mbulojë hapësirat kur skuadra rrezikon. Përveç inteligjencës taktike, ai po tregon edhe sakrificë mbrojtëse, duke dhënë shembull për të rinjtë. Në anën tjetër, Pulisiç është bërë simboli i fazes ofensive. Amerikanit nuk i mungojnë as vrapi, as energjia dhe as konkretësia. Gola, asistë dhe prani e vazhdueshme në fazën sulmuese e kanë bërë atë lojtar vendimtar që prej ardhjes në Milano.

Qoftë si titullar, qoftë si zëvendësues, ai arrin të ndryshojë fatin e ndeshjeve, duke i dhënë skuadrës dimensionin që i mungonte. Në sfidën ndaj Napolit, Pulisiç ndriçoi me lëvizjet e tij, ndërsa Modriç u bë spiranca e qetësisë.

Përreth tyre, lojtarë si Rabiot, Fofana e Loftus-Cheek dhanë intensitet, ndërsa mbrojtja, edhe pse e vënë në vështirësi, rezistoi me organizim. Bartesaghi dhe Athekame, dy të rinj të hedhur në fushë në një skenë të madhe, patën mundësinë të tregojnë karakter përballë ekstremeve të fuqishme të Napolit.

Ky Milan duket si një skuadër që nuk jeton vetëm me episodet apo talentin individual, por që di të mbrojë fort dhe të shfrytëzojë cilësinë në momentet vendimtare. Pikërisht kjo është “dora e Alegrit”: një përzierje pragmatizmi dhe sakrifice, e shoqëruar nga shkëndija e kampionëve.

San Siro e ndjeu, skuadra e ndjeu, dhe tifozët po rikthehen të besojnë. Fitore si kjo nuk janë të zakonshme në një kampionat të gjatë, por mund të jenë pikënisja për një rrugëtim të suksesshëm. Modriç e Pulisiç po udhëheqin me shembull dhe cilësi, ndërsa Alegrit i takon merita që ka rikthyer frymën e vjetër kuqezi. Milani është gati të luftojë për gjithçka.



Lexoni të gjitha në Bota Sot