Incidentet e fundit të shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore polake nga objekte të tipit dronë gjatë sulmeve ruse ndaj Ukrainës kanë ngritur pyetje në lidhje me reagimin dhe gatishmërinë e mbrojtjes ajrore të Polonisë.
Në një intervistë ekskluzive me CE Report, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Polonisë dha deklaratën e mëposhtme:
"Hetimi është duke vazhduar. Në këtë fazë, është shumë herët për të dhënë detaje në lidhje me shkeljen e hapësirës ajrore polake."
Sipas Ministrisë, në përgjigje të përshkallëzimit të veprimeve që synojnë infrastrukturën dhe civilët ukrainas, Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake ka aktivizuar masat e përcaktuara nga procedurat: është rritur gatishmëria e komponentëve të mbrojtjes ajrore, janë mobilizuar avionët në detyrë dhe sistemet tokësore të zbulimit kundërajror dhe radar janë mbajtur në nivelin më të lartë të gatishmërisë, shkruan Ce-Report, transmeton KosovaPress.
"Ky është një përpjekje e koordinuar dhe e vazhdueshme nga Forcat Ajrore, sistemet kundërajrore, njësitë e inxhinierisë radiofonike dhe qendrat e komandës dhe kontrollit, e kryer në bashkëpunim të ngushtë me Komandën e Përbashkët të Forcave Ajrore të NATO-s brenda Sistemit të Integruar të Mbrojtjes Ajrore dhe Raketore të NATO-s (NATINAMDS) nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Komandantit Operacional të Forcave të Armatosura Polake. Ushtria Polake po monitoron vazhdimisht situatën, mbetet në gatishmëri të vazhdueshme për të siguruar sigurinë e hapësirës ajrore polake dhe ndërmerr veprime të përshtatshme sa herë që e kërkon siguria e Republikës së Polonisë dhe hapësirës ajrore aleate".
Ministria konfirmoi gjithashtu se janë duke u zhvilluar procedurat e dedikuara të prokurimit.
"Shkalla e veprimit dhe funksionaliteti i këtyre sistemeve përshtaten vazhdimisht me kërcënimet aktuale dhe të parashikuara - kjo është një fushë jashtëzakonisht dinamike që kërkon modernizim të vazhdueshëm. Prandaj, ne po zhvillojmë sisteme për tiu kundërvënë atyre, duke përdorur jo vetëm pajisje bllokimi, por edhe efektorë kinetikë (artileri, raketa, sisteme lazeri dhe mikrovalë, dronë interceptues, etj.)"
Një sistem gjithëpërfshirës kundër-dronëve po ndërtohet, i optimizuar për kërcënimet në zhvillim, shtoi Ministria.
"Po përshpejtojmë ndërtimin e Mburojës Lindore dhe po ndajmë 26 miliardë PLN (7.15 miliardë dollarë) sipas Planit Kombëtar të Rindërtimit për të forcuar mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë. Kemi blerë aerostate Barbara, të cilat mund të zbulojnë edhe objekte të vogla që lëvizin nga toka në një lartësi prej disa mijëra metrash - ato do të jenë në dispozicion të Forcave të Armatosura vitin e ardhshëm. Po rrisim aftësitë tona të zbulimit dhe identifikimit, duke përfshirë aftësitë e sistemeve tona të radarëve - 2 miliardë PLN (550 milionë dollarë) për radarë pasivë, zbulim sonik dhe një program që lidhet me zbulimin dhe bashkëveprimin me mjete ajrore pa pilot".
Ministria theksoi se dronët që shkelin hapësirën ajrore të NATO-s veprojnë në lartësi shumë të ulëta dhe shpejtësi të ulët, duke e bërë të vështirë për radarët tradicionalë dhe sistemet kundërajrore ti zbulojnë ato.
"Kjo është një sfidë me të cilën përballen të gjitha ushtritë moderne. Prandaj, investimi në sisteme të specializuara kundër dronëve dhe bashkëpunimi aleat janë thelbësore. Blerja e helikopterëve AH-64E Apache, të provuar në ushtri të tjera në mbarë botën, të pajisur me sisteme të përparuara për zbulimin dhe gjurmimin e dronëve, ishte gjithashtu thelbësore për zhvillimin e aftësive kundër dronëve".
Së fundmi, Ministria theksoi se qëllimi i saj kryesor është siguria e Polonisë dhe siguria e qytetarëve të saj.
"Nuk bëhet fjalë për rrëzimin ose shkatërrimin me çdo kusht të objekteve që shkelin hapësirën ajrore polake, pasi ne veprojmë në kohë paqeje - duke përdorur procedura paqeje, jo ato të kohës së luftës."