Haaland: Dua të fitoj sërish Champions League me Manchester City

- Bota Sot

Haaland: Dua të fitoj sërish Champions League me Manchester City

Erling Haaland ka folur me zemër të hapur për futbollin, jetën personale dhe frikërat e tij më të mëdha.

Sulmuesi norvegjez, i cili me kombëtaren e tij ndodhet në të njëjtin grup me Italinë për kualifikueset e Botërorit 2026, ka dërguar një mesazh të qartë.

“Dua të fitoj sërish Champions League me Manchester Cityn dhe më pas të luaj në një Botëror apo Europian me Norvegjinë.

Ka ardhur momenti që ne të marrim pjesë në një turne të madh dhe pse jo, të provojmë edhe ta fitojmë. Nëse ndodh, në rrugët tona do të ketë festë të jashtëzakonshme,” – tha Haaland në intervistën për programin The A-Team.

Por përveç ambicieve sportive, 25-vjeçari foli edhe për anën më të ndjeshme të jetës së tij.

“Frika ime më e madhe është vdekja. Shpesh shtrihem në shtrat dhe mendoj: çfarë do të ndodhë kur të vijë ajo ditë?

Do të shkoj në parajsë apo në ferr? Këto mendime më shoqërojnë sidomos pas disa humbjeve që më kanë rënduar shpirtërisht.

Humbja e gjyshit, më pas e agjentit tim Mino Raiola dhe vitin e kaluar edhe e një miku të ngushtë. Ende e kam të vështirë t’i përballoj këto dhimbje.”

Nga dhimbja tek gëzimi, Haaland ndalet tek përvoja e re si baba, pasi në tetor të vitit të kaluar u bë prind për herë të parë. “Isha në një ndeshje dhe menjëherë pas saj shkova në spital për të ndjekur lindjen. Ishte një moment unik.

E di që futbollistët nuk janë gjithmonë pranë fëmijëve të tyre – nuk besoj që Guardiola do ishte i lumtur nëse unë humbisja një ndeshje për ditëlindjen e djalit tim – por jam i bindur që pasi të tërhiqem, do jem aty për çdo festë dhe për çdo hap të tij në jetë. Kështu është jeta jonë.”



Lexoni të gjitha në Bota Sot