Po i bind të gjithë se nuk ka të dytë si ai.
Pasi shkëlqeu fillimisht në Zvicër tek Baseli, pastaj në Gjermani me Monchengladbach -un, pasi provoi tronditje dhe shkëlqim në Arsenal në Angli, e shpejt pasi fitoi titullin kampion të Bundesligës me Leverkusenin e Kupën e këtij vendi, Granit Xhaka po mrekullon tek Sunderlandi.
Djali nga Kosova, jo vetëm që ka merituar shiritin edhe tek “Macet e Zeza”, por edhe është kthyer në lojtarin e tyre kyç.
E tregon fakti që e bënë kapiten, si dhe 3 asistimet e dhënë në 6 ndeshje, po ashtu që ka luajtur 100 për qind të kohës titullar, dhe ka qenë 100 për qind të kohës në fushë, si dhe ka marrë pjesë në 43 për qind të golave të shënuar.
Aspak për t’u lënë mënjanë fakti se BBC e përfshiu në formacionin e javës së Premier Ligës angleze.
Po ashtu, që televizioni amerikan ESPN i bën jehonë një mesazhi në rrjetet sociale të një tifozi të Sunderlandit, të quajtur Din Hadson, që thotë se prej 27 vitesh që ai sheh futboll, Xhaka është më I miri që ka veshur fanellën e skuadrës së tij të zemrës.
Granit Xhaka po ndjek pikërisht gjurmët e Lorik Canës, ish-kapitenit të kombëtares shqiptare, të cilin e takoi pak ditë më parë, ndërsa mbrojtësi I dikurshëm vizitoi “Stadiumin e Dritave”.
Ishte një moment emocionues për Canën dhe për tifozët e Sunderlandit, të cilët nuk e kanë harruar njeriun që u mësoi këngë shqip shokëve të ekipit.
Ish-kapiteni kuqezi luajti në 2009-2010 për “Macet e Zeza”, duke merituar shiritin, pasi kishte shkëlqyer si kapiten edhe në Francë tek Olimpiku I Marseilles, ndërsa më vonë provoi Galatasarayin në Turqi dhe Lazion në Itali.