Kombëtarja sllovene nuk e ka nisur aspak mirë kampanjën kualifikuese të Botërorit 2026.
Sllovenët barazuan në shtëpi në muajin shtator me Suedinë, 2:2, ndërsa më pas u mposhtën nga Zvicra, 0:5, duke e bërë më të vështirë synimin për një kualifikim eventual në Kupën e Botës.
Për këtë është i vetëdijshëm edhe selektori Matjazh Kek, i cili sot e shpalli listën e të ftuarve për dy ndeshjet e tetorit, kundër Kosovës dhe ndaj Zvicrës.
Selektori slloven është i vetëdijshëm se vetëm fitoret në këto dy përballje mund t’i lënë gjallë shpresat e ekipit të tij, të paktën për ta kapur pozitën e dytë, e cila çon në “play-off”.
“Performanca jonë kundër Zvicrës nuk ishte mjaftueshëm e mirë për ta arritur një rezultat më të mirë.
Nëse nuk e bëjmë tani, nuk kemi të drejtë të mendojmë për Kupën e Botës.
Duhet të jemi në nivelin më të lartë në këta tre muaj. Treguam se çfarë jemi të aftë të bëjmë kundër Suedisë.
Unë besoj në këtë ekip”, u shpreh Kek, teksa më pas foli më specifikisht për ndeshjen e “Fadil Vokrrit” me Dardanët më 10 tetor.