Mbrojtësi i djathtë i PSV-së, Sergino Dest, i është rikthyer edhe njëherë periudhës kur iu bashkua Milanit për një sezon, si huazim nga Barcelona, në vitin 2022-2023.
“Nuk isha në formën time më të mirë fizikisht, duhet të jem i sinqertë, veçanërisht sepse vija nga një situatë e ndërlikuar në Barcelonë.
Mbaj mend që kisha besimin e madh të Maldinit dhe Massara-s që nga dita e parë që arrita. Me Piolin, nuk kisha një raport të shkëlqyer, por ishte korrekt. Calabria ishte kapiteni dhe luante në të njëjtën pozicion me mua.
Nuk ishte as e lehtë për Piolin të menaxhonte situatën, por Milan mbetet një klub i jashtëzakonshëm.
Dua të them se nuk kam pasur kurrë probleme me Piolin, ai është një njeri i mirë.
Ai ka bërë disa zgjedhje dhe unë e respektoj. Kam tre ëndrra, të thjeshta: të fitoj përsëri ligën me PSV për herë të tretë radhazi, të kem një Kupë Bote të mirë në vitin 2026 dhe të kthehem në një klub tjetër të madh evropian, ndoshta në Itali”, u shpreh 24-vjeçari në një intervistë të fundit për “La Gazzetta dello Sport”.