Sulmuesi izraelit i Villarrealit, Manor Solomon, nuk do të jetë i pranishëm sonte (ora 21:00) në ndeshjen e Champions League kundër Juventusit në “Estadio de la Cerámica”. Arsyeja është festimi i Yom Kippur, festa më e shenjtë e hebrenjve, e cila ka nisur më 1 tetor dhe zgjat deri të enjten.
Lajmin e bëri vetë të ditur futbollisti përmes një mesazhi në rrjetet sociale:
“Për fat të keq, nuk do të mund të luaj sonte për shkak të një feste fetare hebraike. I uroj shumë fat skuadrës,” – shkroi Solomon në “Instagram”.
Yom Kippur, e njohur si “Dita e Shlyerjes”, është dita më solemne e kalendarit hebraik. Ajo shoqërohet me pesë lutje të detyrueshme dhe një agjërim 25-orësh, ndaj pjesëmarrja në aktivitete sportive nuk është e lejuar. Vendimi i Solomon për t’u vetëpërjashtuar nga sfida kundër Juventusit ishte pritur, duke respektuar rëndësinë e kësaj dite për komunitetin hebraik.
Pas aventurave me Shakhtar Donetsk, Fulham, Tottenham dhe Leeds, Solomon iu bashkua Villarrealit këtë verë. Ai shënoi golin e tij të parë me “Submarino Amarillo” më 23 shtator kundër Sevillas në La Liga.
Megjithatë, atë mbrëmje u bë edhe shënjestër e ofendimeve me thirrje “Izraeli vrasës” nga një pjesë e tifozëve andaluzianë, në sfondin e konfliktit në Gaza. Federata e Komuniteteve Hebraike të Spanjës (FCJE) reagoi menjëherë duke i cilësuar këto sulme si të “patolerueshme dhe të papranueshme”.
Mungesa e tij në përballjen me Juventusin është një humbje për Villarrealin, por njëkohësisht një mesazh i qartë i respektimit të besimit dhe traditave fetare.