Ardian Ismajli nuk do të jetë gati për Kombëtaren në sfidën e këtij muaji ndaj Serbisë.
Torino ka konfirmuar dëmtimin e mbrojtësit përmes raportit mjekësor, ndërsa për t’u vendosur periudha që Ismajli duhet të qëndrojë jashtë fushës së blertë.
“Kontrollet mjekësore që iu bënë futbollistit Ardian Ismajli kanë treguar një tendosje të pjesshme të muskulit në kofshën e djathtë. Dëmtimi i mbrojtësit do të rivlerësohet në ditët në vijim”, shkruhet në raportin mjekësor të Torinos.
Pas Leçes ku Medon Berisha po ashtu rrezikon të mungojë, edhe nga një tjetër klub i Seria A vjen lajmi i keq. Ismajli i bashkohet Marash Kumbullës në listën e mungesave për qendrën e mbrojtjes.
Ismajli u transferua në verë te Torino si lojtar i lirë. Dhe tashmë është hera e dytë që do mungojë për shkak dëmtimi, ndërsa duket se do të jetë me fat nëse kthehet pas pushimit të kombëtareve.