Një informacion i bujshëm ka ardhur nga Turqia.
Mesfushori 22-vjeçar, Arda Okan Kurtulan, ka refuzuar ftesën e Kombëtares shqiptare, pak ditë para sfidës me Serbinë.
Lajmi u bë i ditur nga gazetari turk Jagiz Sabunkuglu, i cili zbuloi prapaskenën e vendimit të lojtarit të Goztepes.
Sipas raportimeve, arsyeja kryesore lidhet me rregulloren e Superligës turke, ku Kurtulan do të konsiderohej futbollist i huaj nëse do të aktivizohej me Shqipërinë, duke e kufizuar kështu skuadrën e tij në kampionat.
Përveç kësaj, lojtari është në pritje të një ftesë nga përfaqësuesja e Turqisë, gjë që e ka bërë të hezitojë për të veshur fanellën kuqezi.
Kurtulan kishte zgjedhur më parë të luante për Shqipërinë U-21, pasi më parë kishte përfaqësuar Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, pas asaj periudhe, ai nuk u thirr asnjëherë nga Silvinjo për ekipin e parë, pavarësisht paraqitjeve pozitive me Adana Demirspor dhe më pas me Goztepen në kampionatin turk.
I lindur në Stamboll dhe me gjithë karrierën e zhvilluar në Turqi, duket se Kurtulan po e orienton të ardhmen e tij drejt një tjetër përfaqësuese, duke e lënë të hapur mundësinë e një ndryshimi të ri në nivel kombëtar.