“Vajtja në Torino do të jetë emocionuese, kam kaluar 8 vite aty…”.
Me këto fjalë pas ndeshjes Milan–Napoli, Massimiliano Allegri e kishte mendjen te rikthimi i madh në “Allianz Stadium”. Të dielën në mbrëmje, Milani i tij do të përballet me Juventusin, një duel që për trajnerin livornez ka domethënie të veçantë.
Allegri ka shkruar një epope historike në Torino: pesë tituj kampion, katër Kupa Italie, dy Superkupa italiane dhe dy finale të Champions League. Tashmë, ai kthehet si kundërshtar, duke udhëhequr një Milan që pas 5 javësh kampionat është në krye të renditjes dhe vjen nga një fitore bindëse kundër kampionëve të Italisë, Napolit.
Juventusi, përkundrazi, nuk po kalon një periudhë të mirë. Bardhezinjtë kanë regjistruar katër barazime radhazi mes kampionatit dhe Champions League, duke vënë nën presion trajnerin Igor Tudor. Një tjetër hap fals ndaj Milanit mund ta vërë seriozisht në dyshim të ardhmen e tij në stol.
Ndërkohë, Allegri ka punuar pa presionin e Champions-it për të përgatitur një Milan të gatshëm për sfidën. Edhe pse nuk priten ndryshime të mëdha në formacionin që po funksionon shkëlqyeshëm, disa lëvizje janë të detyrueshme.
Estupiñán do të mungojë për shkak të kartonit të kuq, ndërsa alternativa natyrale është Davide Bartesaghi, edhe pse nuk përjashtohet ndonjë zgjedhje taktike ndryshe nga trajneri.
Në mbrojtje mbetet për t’u vlerësuar edhe gjendja e Tomorit, i cili doli i dëmtuar ndaj Napolit; në rast mungese,
Koni De Ëinter është kandidati kryesor për ta zëvendësuar. Në mesfushë nuk priten eksperimente: treshja Modric–Rabiot–Fofana po funksionon në mënyrë perfekte dhe Allegri do t’i besojë edhe në Torino.
Në sulm, Christian Pulisic është i pakapshëm, ndërsa për shokun e tij të sulmit ka garë midis Gimenez, Nkunku dhe Leao.