8 muaj pezullim për futbollistin e Barit, i përfshirë në skandalin e basteve

- Bota Sot

8 muaj pezullim për futbollistin e Barit, i përfshirë në skandalin e basteve

Është bërë zyrtare: Giuseppe Sibilli, është dënuar me 8 muaj pezullim pas pranimit të akuzave për vendosjen e basteve në ndeshje të organizuara nga FIGC, UEFA dhe FIFA.

Vendimi i Federatës Italiane mbyll praktikisht sezonin për lojtarin 29-vjeçar nga Napoli, i cili tashmë do të paguhet vetëm me pagën minimale federale.

Përveç pezullimit, Sibilli është gjobitur edhe me 20 mijë euro dhe është i detyruar të marrë pjesë në një plan terapeutik, si dhe në të paktën 16 takime publike gjatë periudhës së dënimit.

Këto do të zhvillohen në bashkëpunim me FIGC, pranë shoqatave sportive amatore, shkollave apo qendrave të trajtimit të varësisë nga lojërat e fatit.

Ky dënim erdhi pas hetimeve të kryera nga Prokuroria Federale, e cila dokumentoi shkeljet e lojtarit.

Nëpërmjet marrëveshjes së arritur, një pjesë e sanksionit u zëvendësua me detyrime edukative e sociale.

Për Sibillin, sezoni 2025-26 përfundon para kohe dhe karriera e tij tashmë ndodhet në një pikë kritike, duke u lidhur me një nga skandalet më të bujshme të basteve në futbollin italian të viteve të fundit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot