Itali/ Me 120 kapsula heroine në stomak, arrestohet 46-vjeçarja nigeriane

- Bota Sot

Itali/ Me 120 kapsula heroine në stomak, arrestohet 46-vjeçarja nigeriane

Në aeroportin Orio al Serio të Bergamos, në Itali, autoritetet arrestuan një grua 46-vjeçare nga Nigeria, e cila kishte gëlltitur 120 kapsula heroinë me peshë totale 1.393 gramë.

Hetimi nisi pas një njoftimi të ardhur nga autoritetet doganore belge. 46-vjeçarja, e cila jeton në Itali që nga viti 2013 dhe punon si shitëse ambulante, po kthehej nga një udhëtim i shkurtër në Bruksel dhe kishte si destinacion qytetin Alghero.

Mungesa e bagazheve dhe sjellja e saj nervoze ngjallën dyshime tek autoritetet, të cilat vendosën të kryejnë kontrolle të mëtejshme. Ajo vetë pranoi se po transportonte drogë.

Ekzaminimet me rreze X në spitalin e Bergamos konfirmuan praninë e drogës, e cila ishte e mbështjellë me shirit ngjitës.

Pas nxjerrjes së kapsulave, substanca u sekuestrua, dhe gruaja u dërgua në burgun e Bergamos. Autoritetet gjyqësore do të vendosin për masën e dënimit të 46-vjeçares.



Lexoni të gjitha në Bota Sot