Ambasadori Bergner: Gjermania rikonfirmon mbështetjen për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së

- Bota Sot

Ambasadori Bergner: Gjermania rikonfirmon mbështetjen për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së

Ambasadori gjerman në Tiranë Karl Bergner, përmes një mesazhi ka rikonfirmuar angazhimin e Gjermanisë për të mbështetur Shqipërinë në procesin e integrimit evropian.

Në ditën  e bashkimit të Gjermanisë, Bergner vlerëson përparimin e vendit në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se Gjermania qëndron fort pranë Shqipërisë, si një partner afatgjatë, duke mbështetur reformat kyçe, forcimin e institucioneve, shoqërinë civile dhe luftën kundër korrupsionit.

Ai përshëndeti përparimin e bërë, veçanërisht hapjen e pesë grup-kapitujve në negociatat për anëtarësim në BE, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë dhe evropianë.

“Qytetarët shqiptarë presin bashkëpunim konstruktiv në parlament, drejtësi të pavarur dhe një luftë të vazhdueshme kundër korrupsionit”, u shpreh ambasadori, duke vlerësuar veçanërisht punën e SPAK dhe gjyqtarëve që, siç tha ai, “i rezistojnë presionit publik dhe mbrojnë shtetin ligjor”.

Bergner vuri në dukje edhe mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, nëpërmjet projekteve të GIZ dhe KfË, si dhe angazhimin për të ndihmuar shtresat më të prekura dhe bizneset e vogla në zonat rurale. Me një bashkëpunim që zgjat prej 37 vitesh, Gjermania mbetet donatori dypalësh më i madh dhe më jetëgjatë në vend.

Një tjetër fokus është turizmi i qëndrueshëm, ku ambasadori përmendi me entuziazëm pjesëmarrjen mbresëlënëse të Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin, që sipas tij, tregoi potencialin e jashtëzakonshëm të vendit.

Duke folur për sigurinë dhe integrimin evropian, ambasadori theksoi se vendet që synojnë anëtarësimin në BE duhet të ndajnë vlerat e përbashkëta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut – një parakusht thelbësor për një zgjerim të suksesshëm të Unionit.

Gjermania, si partner strategjik i Shqipërisë, do të vijojë të ofrojë mbështetje të gjithanshme nga infrastruktura, te arsimi profesional, energjia, menaxhimi i burimeve ujore dhe deri te lufta kundër ndryshimeve klimatike.

Në mbyllje të mesazhit të tij, ambasadori ftoi qytetarët të marrin pjesë në Javën e Kulturës Gjermane, që nis më 3 tetor në Pazarin e Ri në Tiranë, me një festë në ambient të hapur që do të përfshijë muzikë, film, kulturë, dhe atmosferë tradicionale të Oktoberfest-it.



Lexoni të gjitha në Bota Sot