Nuk dalin në shitje biletat për ndeshjen Serbi - Shqipëri, ja si veprohet

- Bota Sot

Nuk dalin në shitje biletat për ndeshjen Serbi - Shqipëri, ja si veprohet

Ndeshja Serbi – Shqipëri do të luhet të shtunën, më 11 tetor, në Leskovc, me fillim nga ora 20:45.

Federata e Futbollit e Serbisë (FSS) ka publikuar një njoftim për tifozët para ndeshjes vendimtare ndaj Shqipërisë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.

“Në përputhje me vlerësimin e FIFA-s, udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, konsultimet me UEFA-n dhe sidomos duke marrë parasysh përvojën e hidhur nga ndeshja e ndërprerë në vitin 2014, ku kombëtarja jonë mbeti jashtë një kompeticioni të madh përmes vendimit administrativ, Federata ka marrë vendimin që për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet më 11 tetor, në stadiumin “Duboçica”, në Leskovc, të mos ketë shitje të biletave për publikun e gjerë.

Prania në tribuna do të mundësohet vetëm përmes shpërndarjes së biletave në komunitetin e futbollit: federatat rajonale, klubet, nxënësit e shkollave të futbollit dhe prindërit e tyre, organizatat profesionale të futbollit, sponsorët zyrtarë dhe mysafirët e Federatës, përfaqësuesit e akredituar të medieve, si edhe ekipet mjekësore dhe të tjera të domosdoshme për zhvillimin e ndeshjes.

Hyrja në stadium do të lejohet vetëm me bileta të personalizuara dhe me paraqitjen e një dokumenti identifikimi (letërnjoftim ose pasaportë), të shoqëruara me kontrolle të rrepta sigurie në hyrje, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Publikut i kujtohet se në tetor të vitit 2014, ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd u ndërpre, çka solli pasoja të rënda për kombëtaren serbe, përfshirë edhe humbjen e mundësisë për t’u kualifikuar në Euro 2016.

Për këtë arsye, FFS në bashkëpunim me UEFA-n, FIFA-n dhe institucionet e tjera përkatëse po merr të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë maksimale dhe zhvillimin e rregullt të takimit.

Kjo ndeshje është shpallur nga FIFA, Ministria e Brendshme e Serbisë dhe FFS si ndeshje me rrezikshmëri të lartë sigurie.

Për këtë arsye, FIFA do të dërgojë në Leskovc dy zyrtarë sigurie, ndërsa në tribuna nuk do të lejohen tifozë mysafirë, në përputhje me udhëzimet e sigurisë.

Federata e Futbollit e Serbisë apelon që të gjithë pjesëmarrësit të kontribuojnë me sjelljen e tyre për një atmosferë sportive dhe korrekte, në mënyrë që kombëtarja e Serbisë të ketë kushtet e duhura për të arritur rezultatin më të mirë në fushë”, - thuhet në njoftim nga federata serbe.



Lexoni të gjitha në Bota Sot