Ish-zyrtarja e BE-së thotë se kishte nënshkruar avendumet e kontratave pas aprovimit nga Brukseli

- Bota Sot

Ish-zyrtarja e BE-së thotë se kishte nënshkruar avendumet e kontratave pas aprovimit nga Brukseli

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë këtë të premte ka dhënë mbrojtjen e saj ish-zyrtarja e BE-së, Albina Nura. Ajo tha se kishte nënshkruar avendumet e kontratave pas aprovimit nga Brukseli.

Në këtë rast, ish-zyrtarja e BE-së, Albina Nura akuzohet që i ka shkaktuar dëm buxhetit të BE-së 500 mijë euro, me çka ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Konflikt i interesit”, raporton “Betimi për Drejtësi”

Fillimisht, sipas planifikimit te Gjykatës, do të vazhdonte dhënien e dëshmisë dëshmitari Michail Papagiannis, në cilësinë e shefit të financave në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Dëshmitari Papagianis kishte dëshmuar në seancën e 27 majit 2025, dhe seancën e 20 qershorit 2025, ndërsa mungoi në seancën e sotme. Lidhur me këtë mbrojtësi i palës se dëmtuar, avokati Leotrim Syla, njoftoi trupin gjykues se nga Zyret e BE-së në Kosovë ka pranuar një e-mail me të cilin është njoftuar se dëshmitari Papagianis nuk do të jetë prezent duke theksuar se nuk ka marrë sqarime shtesë për të.

Ndërsa, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Valon Kurtaj, mori aktvendim me të cilin deklarimet e dhëna të dëshmitarit deri në këtë fazë të procedurës i konsideroj deklarime të pranueshme të cilat gjykata do t’i vlerësojë në kuadër të të gjitha provave te çështjes.

Në radhën e administrimit të provave materiale, prokurori special Naim Abazi deklaroi se qëndron pranë të gjitha provave të propozuara në aktakuzë, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarës Nura, avokati Kujtim Kerveshi deklaroi se do të propozojë prova të cilat, sipas tij, i kishte propozuar edhe në fazën hetimore.

Lidhur me këtë, gjyqtari Kurtaj, kërkoi nga avokati Kërveshi që këto prova të dorëzohen tek palët dhe gjykata deri më datën 6 tetor 2025, me qëllim që palët të kenë mundësi të elaborimit të të njëjtave në fjalën përfundimtare.

Tutje, seanca vazhdoj me dhënien e mbrojtjes nga e akuzuar Nura e cila elaboroi pjesë nga dëshmitë e dëshmitarëve në këtë proces gjyqësor, ku theksoj përgjigjen e dëshmitarit Papagianis i cili në pyetjen e saj lidhur me atë nese kishte dicka të kundërligjshme në procedurën e avendumit.

Njëra prej pyetjeve të cilat ia kam bërë dëshmitarit Michael, se a ka qenë ky avendum i kundërligjshëm dhe dëshmitari i BE-së pranë kësaj gjykate ka deklaru se nuk ka pasur asgjë të kundërligjshme në kërkesën dhe procedurën e avendumit duke pretenduar se dicka ka ndodhë dikur me vonë”, tha Nura.

Lidhur me atë për të cilën ngarkohet nga Prokuroria, e akuzuara Nura tha se Ministria e Integrimeve kishte negociuar shume kohë para se të fillohej procedura ndaj saj. Kështu duke theksuar se marrëveshja fillestare ishte arritur në Bruksel.

“Ministria e Integrimeve në nivelet e saj më të larta të përfaqësimit e ka negociu këtë avendum në Bruksel dhe se marrëveshja fillestare është arritë me Brukselin shumë para se të filloj procedura për të cilën unë po akuzohem”. tha ndër të tjera Nura.

Sipas të akuzuarës Nura ish- përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar kishte njoftuar fillimisht Brukselin, pastaj kishte nënshkruar e akuzuara Nura.

“Zbogar e ka njoftuar Brukselin me 4 mars 2015 ndërsa nënshkrimi im i parë në përgatitjen e fajllit për avnedumin ka qenë 4 mars 2015 pas tërë aporovimeve paraprake nga Brukseli deri të menaxhmenti i zyrës së BE-së në Kosovë”, tha Nura.

Seanca u ndërpre për shkak të përfundimit të orarit të punës së kësaj Gjykate, ndërsa e radhës do të vazhdojë një ditë tjetër.

Aktakuza ndaj Nurës ishte ngritur më 18 maj 2021, në të cilën thuhet se ajo i kishte shkaktuar dëm buxhetit të BE-së 500 mijë euro, me çka ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Konflikt i interesit”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot