BE-ja jep 1,6 miliardë euro për përmbytjet në Valencia

- Bota Sot

BE-ja jep 1,6 miliardë euro për përmbytjet në Valencia

Spanja do të marrë gati 1,6 miliardë euro nga fondet e Bashkimit Evropian për të ndihmuar në përballimin e pasojave të përmbytjeve shkatërruese në Valencia, të cilat shkaktuan mbi 230 viktima në tetor 2024, njoftoi sot Komisioni Evropian.

“Shkatërrimi që dëshmuam pothuaj një vit më parë në rajonin e Valencias dhe në të gjithë Spanjën preku thellë Evropën. Kjo katastrofë e lidhur me klimën na bashkoi në dhimbje dhe solidaritet të përbashkët,” tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një deklaratë.

Fondet janë “për të mbështetur punën jetike të rimëkëmbjes, riparimit dhe rindërtimit”, shtoi ajo.

Afro 1 miliard euro do të paguhen nga Fondi i Solidaritetit i BE-së për të mbështetur anëtarët e BE-së të prekur nga katastrofa natyrore të rënda ose emergjenca të mëdha shëndetësore.

Një tjetër shumë prej 645 milionë eurosh do të vijë nga fondet që Spanja mund të kërkojë për iniciativat e zhvillimit rajonal dhe që janë riorientuar drejt përpjekjeve të rimëkëmbjes.

Mbështetja financiare duhet ende të aprovohet nga shtetet anëtare të BE-së dhe nga Parlamenti Evropian. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot