Një jetë mes klubeve të mëdha dhe sukseseve të përbashkëta, por lidhja mes Ivan Rakitiçit dhe Luka Modriçit mbetet e fortë dhe e sinqertë. Ish-mesfushori i Sevilla-s, sot drejtues te Hajduku i Splitit, foli për “La Gazzetta dello Sport” duke rrëfyer kujtime dhe detaje personale për mikun dhe bashkëkombësin e tij, që po shkruan një kapitull të ri të lavdishëm në futbollin italian.
Fjalët e Rakitiçit ofrojnë një pasqyrë të ndershme mbi mënyrën se si Modriç ka përjetuar aventurën e tij të re në Serie A, një hap që befasoi shumëkënd, por që po jep rezultate të prekshme.
“Folëm dje, Luka është shumë i lumtur,” – tregoi Rakitiç. Ai zbuloi se Modriç ndihet tashmë si në shtëpi në Milano, me një jetë të qetë dhe një ambient perfekt për familjen e tij.
“Më ftoi në Milano, më tha se futbolli është shumë ndryshe nga Spanja, por po e shijon shumë. Është i lumtur me shokët e skuadrës dhe me jetën në Itali.”
Rakitiç theksoi edhe një detaj të rëndësishëm:
“Për gjithçka Luka duhet të falënderojë Igli Taren, ishte ai që e solli te Milani. Mendoja se do ta mbyllte karrierën te Real Madridi, por tani që e shoh në Milano më bën shumë të lumtur. Do të festoj çdo fitore të tij, personale apo të skuadrës, si të ishte imja.”
Rakitiç kujtoi edhe takimin e parë me Modriçin:
“Më 1 mars 2006, në një miqësore Kroaci–Argjentinë në Bazel. Unë luaja për Bazelin dhe po mendoja të ndryshoja federatë. Luka atë ditë debutoi me Kroacinë – më thoshin: ‘Shiko, mund të luash me të!’”.
Sa i përket së tashmes, ai shprehu bindjen se Milani i Allegrit mund të shkojë deri te titulli:
“A mund të fitojë menjëherë titullin? Po, është e mundur, por gjithçka do të vendoset në mars. Mua më pëlqejnë skuadrat që rriten gjatë sezonit. Me një trajner si Allegri, që ka fituar gjithçka, mund ta arrijnë”.
Fjalë respekti dhe miqësie për një kampion si Modriç dhe për një Milan që, nën drejtimin e Allegrit, synon t’u rikthehet majave të futbollit italian dhe evropian, i udhëhequr tashmë nga përvoja dhe klasa e mesfushorit kroat.