Në Bradford, Anglinë Veriore, një ngjarje e rëndë është zbuluar pas dekadash heshtje dhe ka shkaktuar tronditje dhe zemërim te publiku. Sipas mediave të huaja mësohet se Raja Zulqurneen, 42-vjeç, është dënuar me 23 vite burg për abuzimin e një vajze të mitur, e cila aktualisht ndodhet nën kujdesin e shërbimeve sociale.
E reja ishte martuar me 42-vjeçarin që kur ajo ishte 15 vjeç. Martesa e tyre nuk kishte fuqi ligjore, por u përdor si pretekst për të legjitimuar marrëdhënien e pushtetin që Zylqyrneen dhe bashkëpunëtorët e tij i kishin imponuar të miturës.
Nga kujdesi familjar te abuzimi:
Gjykata dëgjoi se vajza, e njohur si Anna, për të mbrojtur identitetin e saj, ishte marrë nën kujdesin e familjes së Zulqurneen në fillim të viteve 2000. Prej asokohe ajo u shfrytëzua me vite të tëra nga “bashkëshorti” i saj.
Gjatë hetimit, u zbulua se Anna ishte viktimë e abuzimit sistematik seksual nga të paktën 18 burra në zonën e Bradford. Prokurorët folën për një rrjet "në shkallë industriale" që vepronte i pashqetësuar për vite me radhë, duke shfrytëzuar fëmijët jashtë një mjedisi familjar.
Autoritetet thanë se numri i autorëve mund të jetë shumë më i lartë, pasi shumë prej tyre nuk u identifikuan dhe nuk u sollën kurrë para drejtësisë.
Rasti doli në dritë në vitin 2019, kur Anna, tani e rritur, gjeti forcën të shkonte në polici dhe të raportonte atë që kishte vuajtur. Ankesa e saj shkaktoi një hetim policor shumëvjeçar, me pjesëmarrjen e njësive speciale për krime kundër të miturve.
Hetuesit mblodhën dhjetëra dëshmi dhe prova që çuan në padinë e tetë burrave. Midis tyre, përveç Zulqurneen, janë Mohamed Imran Akram (42 vjeç), Mohamed Shezad Hussein (39), Basharat Khaliq (45), Wajid Hussein (42), Mohamed Nahim (39), Nadim Ali (39) dhe Safraz Ahmed Latif (40). Dënimet e tyre, në total, arrijnë në 91 vjet burg.
Gjatë shpalljes së dënimeve në Gjykatën e Kurorës në Bradford, gjykatësi Ahmed Nadim, “shpërtheu” ndaj të pandehurve: “Secili prej jush qëndron këtu sepse kontribuat në shkaktimin e dëmit të thellë dhe të qëndrueshëm ndaj një fëmije që ishte në dëshpërim. Ju shfrytëzuat nevojën e saj për dashuri dhe siguri për kënaqësinë tuaj”, tha ai.
Gjykatësi e përshkroi qëndrimin e viktimës si “një akt guximi dhe dinjiteti”, duke vënë në dukje se ajo “u detyrua të rijetonte traumën e saj në mënyrë që të vihej drejtësi”.