Dinamo ka marrë një fitore të rëndësishme në “Selman Stërmasi”, duke mundur Flamurtarin me rezultatin 2-0 në ndeshjen e javës së gjashtë të Superiores.
Ekipi i Ilir Dajës tregoi qartësi dhe vendosmëri në lojë, duke siguruar tre pikë të arta për garën në krye.
Guindo zhbllokoi rezultatin në minutat shtesë të pjesës së parë (45+3’), ndërsa Tiago Nani vulosi suksesin në minutën e 74-të, duke i dhënë fund çdo dileme për rezultatin.
Ndeshja u tensionua në pjesën e parë, kur Veiga u përjashtua me karton të kuq në minutën e 28-të, duke e lënë Flamurtarin me një lojtar më pak. Megjithatë, edhe Dinamo mbeti me 10 futbollistë pas ndëshkimit të Farrukut në pjesën e dytë.
Fitorja e çon Dinamon në 10 pikë, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e dytë të renditjes, ndërsa Flamurtari mbetet në krizë të plotë, me vetëm 2 pikë, në fund të tabelës.
Një tjetër provë force nga skuadra e Dajës, që duket se po fiton stabilitet, ndërkohë që vlonjatët përballen me presionin e madh të mbijetesës.