Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka komentuar për herë të parë mbi thashethemet që lidhin Erling Haaland me një transferim të mundshëm te Barcelona, duke dhënë një përgjigje të qartë për situatën e norvegjezit dhe rolin aktual në skuadrën angleze.
Duke folur në konferencën e fundit për shtyp, Guardiola tha se është plotësisht e kuptueshme që çdo klub në botë do të dëshironte të kishte një lojtar si Haaland.
“Ma thuaj një klub që nuk do ta kishte Erling Haaland si ëndërr. Është e kuptueshme që Barcelona e sheh si ëndërr, ashtu si çdo skuadër tjetër. Po të mos ishte te ne, do të ishte ëndërr edhe për Manchester Cityn ta kishte. Çfarë do të ndodhë në të ardhmen? Sinqerisht, nuk e di”.
Tekniku spanjoll theksoi gjithashtu se Haaland është i lumtur te City dhe po kalon një periudhë të shkëlqyer.
“E di që ai ka një kontratë afatgjatë me klubin dhe po bën shumë mirë, po shënon shumë gola. Kam ndjesinë se ekipi e ndihmon shumë, i krijon raste, dhe ne po luajmë gjithnjë e më mirë për t’i dhënë atij mundësi të tjera për të shënuar. Gjithmonë dua që skuadra të pësojë më pak dhe të krijojë më shumë”.
Guardiola foli edhe për natyrën e paparashikueshme të futbollit, duke e cilësuar atë si sportin më të veçantë.
“Futbolli është i vetmi sport ku mund të krijosh më shumë raste, të mbrosh më mirë dhe sërish të mos fitosh. Në golf, basketboll apo tenis, statistikat të japin fitoren. Në futboll jo. Nëse krijon 19 raste dhe nuk mjafton, duhet të krijosh 25. Nëse sërish nuk mjafton, atëherë 35. Kjo është ajo që duhet të bëjmë”.
Në fund, ai u ndal te kontrata e Haaland dhe e ardhmja e tij: “Erling nuk është aq naiv sa të nënshkruajë diçka që nuk dëshiron ta përmbushë. Këtë e di me siguri. Por në futboll, askush nuk e di çfarë do të ndodhë më vonë. Askush”, përfundoi Guardiola.