Mesfushori i Villarrealit shpërthen pas humbjes me Realin dhe sulmon gjyqtarin

- Bota Sot

Mesfushori i Villarrealit shpërthen pas humbjes me Realin dhe sulmon gjyqtarin

Mesfushori i Villarreal, Santi Comesana nuk i kurseu fjalët pas humbjes 3-1 ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu”.

I irrituar nga disa vendime të gjyqtarit kryesor, Comesana u shpreh se ishte e pamundur të luftohej për rezultat në kushte të tilla.

Në qendër të polemikës ishte ndëshkimi me karton të kuq i Santiago Mourino, pas një ndërhyrjeje ndaj Vinicius Junior – moment që, sipas Comesanas, e vendosi fatin e ndeshjes.

“Nëse është tashmë e vështirë të fitosh në Bernabeu, me këto gjëra bëhet shumë më e komplikuar”, deklaroi ai për DAZN.

Lojtari spanjoll analizoi gjithashtu paraqitjen e skuadrës së tij, duke theksuar se ndeshja kishte nisur mirë për Villarrealin.

“E nisëm me qëllimin për të dalë shpejt në kundërsulm dhe funksionoi. Por pastaj erdhi goli, topi që goditi Vinicius, u përplas tek unë dhe përfundoi në rrjetë. Pas atij momenti e humbëm fokusin”.

Comesana nuk e fshehu zemërimin as për penalltinë e dhënë për Realin, që e thelloi disavantazhin e skuadrës së tij.

“Për mua nuk është penallti. Ai (Vinicius) gjuan me të dyja këmbët… ishte vendim që na dëmtoi shumë, sepse në atë moment ishim ende në lojë”.

Sipas tij, momenti i përjashtimit të Mourinos e shkatërroi përfundimisht shpresën për një rezultat pozitiv.

“Duhet parë mirë ajo ndërhyrje. Ai del përpara Viniciusit dhe arbitri e përjashton. Pas atij momenti, gjithçka u bë e pamundur.”

Pas kartonit të kuq, Villarreal mbeti me dhjetë lojtarë dhe nuk arriti të reagojë, duke e mbyllur sfidën me humbje.



Lexoni të gjitha në Bota Sot