Në 25-vjetorin e rrëzimit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Ragmi Mustafi kujton se shpresa për një Serbi demokratike e evropiane është shndërruar në zhgënjim. Ai thekson se megjithëse Millosheviqi u rrëzua, Serbia nuk u çmillosheviqizua – strukturat e vjetra mbetën me fytyra të reja dhe metoda moderne kontrolli.
Sipas Mustafit, regjimi aktual i Vuçiqit vazhdon të ushqehet me nacionalizëm e frikë, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen ende me diskriminim dhe përjashtim sistematik.
Ai apelon për një “5 tetor” të ri – jo për rrëzimin e një njeriu, por për shembjen e një mentaliteti shtetëror që pengon lirinë, drejtësinë dhe barazinë.
Shkrimi i plotë:
5 TETORI – NGA RËNIA E NJË REGJIMI TE QËNDRUESHMËRIA E TJETRIT
Sot bëhen 25 vjet nga 5 tetori 2000, dita kur mijëra qytetarë mbushën rrugët e Beogradit dhe rrëzuan nga pushteti regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviqit.
Ishte dita e shpresës për një Serbi tjetër — demokratike, paqedashëse dhe evropiane. Dita kur besuam se epoka e dhunës, e luftërave dhe e frikës kishte marrë fund.
Por një çerek shekulli më vonë, ajo shpresë është shndërruar në zhgënjim të thellë.
Serbia e 6 tetorit nuk ndodhi kurrë. Millosheviqi u rrëzua, por Serbia nuk u çmillosheviqizua.
Strukturat e vjetra mbetën të njëjta, vetëm që morën fytyra të reja dhe metoda më moderne për ta kontrolluar shoqërinë, për ta përgjumur demokracinë dhe për ta mbajtur të gjallë frikën.
Sot, në vend të një Serbie evropiane, kemi një Serbi të Vuçiqit – që ushqehet me nacionalizëm, e blen heshtjen me propagandë, e kontrollon shtetin me frikë, dhe i shërben autoritarizmit të maskuar si stabilitet.
Në këtë realitet, edhe Lugina e Preshevës ndien peshën e një politike që nuk ka ndryshuar thelbësisht. Diskriminim institucional, pasivizim administrativ dhe përjashtim sistematik.
E gjitha kjo dëshmon se Serbia e sotme është vazhdimësi e së djeshmes, e jo përmbysje e saj.
Për shqiptarët e Luginës, 5 tetori 2000 u pa si mundësi për barazi dhe respekt të të drejtave kolektive e individuale.
Por një çerek shekulli më pas, ata ende kërkojnë njohje, drejtësi dhe trajtim të barabartë. Kjo dëshmon se pa demokratizimin real të Serbisë, nuk ka as siguri, as paqe, as stabilitet në rajon.
Sot, 25 vjet më vonë, Serbia ka nevojë për një “5 tetor” të ri — jo për rrëzimin e një njeriu, por për shembjen e një mentaliteti shtetëror që prodhon padrejtësi, kontroll dhe urrejtje.
Një “5 tetor” që do të sillte më në fund 6 tetorin e munguar, ditën kur liria do të bëhej reale, dhe demokracia do të jetonte edhe në çdo institucion, edhe në çdo qytet.