Të shtunën e fundjavës (më 11 tetor, 20.45) në Leskovc do të zhvillohet ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë në kuadër të Grupit K të kualifikimeve për Kampionatin Botëror në futboll.
Ndeshje që zgjon kureshtje jo vetëm në Kontinentin e Vjetër.
Legjenda e gazetarisë sportive, Agim Kasapolli, jep disa detaje shqetësuese për në Serbi para sfidës me Shqipërinë.
“Analizë mbi vendimin e pazakontë për zhvillimin e ndeshjes Serbi–Shqipëri në Leskovc dhe ndikimin e tij politik e sportiv!
Të dielën, më 11 tetor, Kombëtarja e Shqipërisë në futboll do të zhvillojë ndeshjen e radhës kundër Serbisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “FIFA 2026”.Në mënyrë të papritur, takimi nuk do të luhet në Beograd, por në qytetin Leskovc, ku stadiumi ka vetëm 8.136 ulëse, krahasuar me 51.755 që ka “Rajko Mitiq” në kryeqytet. Vendim jashtë praktikave të zakonshme
Ky vendim është marrë pas një marrëveshjeje ndërmjet Federatës së Futbollit të Serbisë (FFS) dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), me miratimin e UEFA-s.
Zakonisht, ndeshjet ndërkombëtare të këtij niveli zhvillohen në qytete me aeroport aktiv, ndërsa rregullat e UEFA-s përcaktojnë që stadiumi nuk duhet të jetë më larg se 50 kilometra nga aeroporti më i afërt.
Zgjedhja e Leskovcit, që nuk i plotëson këto kushte, shihet si përjashtim nga standardet”, ka analizuar Kasapolli.
Arsyet e zhvendosjes
Kasapolli jep edhe arsyet pse kjo ndeshje u zhvendos në Leskovc.
“Pas ndeshjes së Serbisë kundër Anglisë, ku pati akte të vandalizmit dhe dhunë tifozësh, autoritetet serbe janë përballur me sfida serioze në garantimin e rendit dhe sigurisë.
Burime të ndryshme raportojnë se presidenti Aleksandar Vuçiq është përballur me pakënaqësi të thella nga grupe tifozësh si “Delije” dhe “Grobari”.
Në këto rrethana, zhvendosja e ndeshjes në një qytet më të vogël si Leskovci shihet si përpjekje për të reduktuar rrezikun e incidenteve të mundshme”, ka shkruar më tej.
Stadium pa publik të lirë
Kasapolli ka theksuar se nuk do të ketë bileta në shitje për ndeshjen Serbi – Shqipëri.
“Vendimi për zhvillimin e takimit në Leskovc ka ngritur pikëpyetje të shumta.
Sipas informacioneve, nuk do të ketë bileta për shitje publike, ndërsa hyrja në stadium do të bëhet vetëm me ftesa të shpërndara nga autoritetet lokale, të cilat janë nën kontroll të partisë në pushtet.
Kjo do të thotë se tifozët shqiptarë, qoftë nga Shqipëria apo Lugina e Preshevës, nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë, duke krijuar një atmosferë të mbyllur dhe njëanshme”, ka nënvizuar Kasapolli.
Konteksti politik dhe pasojat
“Serbia prej më shumë se dhjetë muajsh po përballet me protesta të studentëve dhe qytetarëve kundër qeverisë së Vuçiqit.
Në këtë klimë politike të tensionuar, analistët vlerësojnë se zhvendosja e ndeshjes mund të jetë pjesë e një strategjie për kontroll të situatës së brendshme dhe për shpërqendrim të opinionit publik nga problemet politike.
Në këtë kontekst, siguria e lojtarëve, stafeve dhe arbitrave mbetet prioritet absolut. Institucionet përkatëse ndërkombëtare dhe vendore pritet të ndërmarrin masa të shtuara sigurie, ndërsa vëzhguesit e UEFA-s do të kenë rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e zhvillimit të ndeshjes”, thekson Kasapolli.
Përfundim Rasti
““Serbi–Shqipëri” në Leskovc është më shumë sesa një ndeshje futbolli
.Ai pasqyron ndërthurjen e sportit me politikën dhe sfidat që lindin kur garat sportive zhvillohen në ambiente me tension të lartë shoqëror dhe politik.
Mbetet për t’u parë nëse ky vendim do të kontribuojë për qetësi apo do të hapë debat të ri mbi standardet e organizimit të ndeshjeve ndërkombëtare:, ka përfunduar analizën e tij Kasapolli.