Medon Berisha ishte një nga protagonistët e fitores 0-1 që Lecce arriti në transfertë ndaj Parmës.
Mesfushori i kombëtares shqiptare u aktivizua për 88 minuta dhe tregoi një paraqitje solide në mesfushë, duke diktuar ritmin e lojës dhe ndihmuar skuadrën të ruajë avantazhin.
Pas ndeshjes, Berisha foli për mikrofonët e mediave italiane, duke analizuar performancën e tij dhe të skuadrës, por edhe duke ndalur vëmendjen te përballja e afërt e Shqipërisë ndaj Serbisë.
“Që nga ndeshja me Bolognan kemi treguar se jemi një ekip i fortë kur luajmë kompakt. Barazimi me ta na dha qetësi dhe besim për këtë fitore,” – tha Berisha.
Lojtari kuqezi u shpreh mirënjohës për besimin që po i jep trajneri Di Francesco: “Më jep shumë vetëbesim, por e di që duhet të rritem ende.”
Sa i përket rolit të tij në mesfushë, Berisha u shpreh se ndjehet mirë në sistemin aktual:
“Luajmë me lojtarë që thyejnë aksionet e kundërshtarëve, çka më ndihmon të jap më shumë me cilësitë e mia.
U mundova të ul ritmin e Parmës në pjesën e dytë.”
Duke parë drejt ndeshjes me Serbinë, ai shtoi me vendosmëri: “Na pret një sfidë e madhe.”
Në fund, Berisha foli edhe për aspektin personal: “Golat do të vijnë. Sot pata një rast të mirë, por portieri e priti. Nuk kam asnjë dyshim se do të vijë momenti im”.