Arrestohet për abuzim seksual ish-sulmuesi

- Bota Sot

Arrestohet për abuzim seksual ish-sulmuesi

Futbolli meksikan është tronditur nga lajmi për arrestimin e ish-sulmuesit Omar Bravo, 45 vjeç, një prej ikonave të Çivas de Guadalajara.

Prokuroria e shtetit Jalisko njoftoi se Bravo u arrestua në Zapopan, i dyshuar për abuzim seksual ndaj një të miture.

Hetimet paraprake tregojnë se rastet e dyshuara kanë ndodhur në muajt e fundit, ndërsa ekziston mundësia që të ketë pasur edhe raste të tjera më herët. Ish-sulmuesi pritet të dalë në gjykatë së shpejti, ndërkohë që për momentin nuk dihet nëse ai ka angazhuar një avokat mbrojtës.

Bravo është një emër i madh në historinë e Çivas, ku u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave. Ai përfaqësoi gjithashtu Meksikën në Olimpiadën e Athinës 2004 dhe në Kampionatin Botëror 2006 në Gjermani, duke qenë një nga figurat më të dashura për tifozët.

Në rrjetet sociale, reagimet nuk munguan.

Në profilin e tij në Instagram, ku postimi i fundit daton nga 8 shtatori, ndjekësit shprehën habi, trishtim dhe mosbesim për lajmin.

Disa e cilësuan idhullin e tyre, duke shpresuar që akuzat të mos rezultojnë të vërteta. Prokuroria e Jalisços ka bërë të ditur se procesi hetimor do të vazhdojë në ditët në vijim.

Kujtojmë që Bravo numëron 67 ndeshje me kombëtaren e Meksikës dhe 15 gola të shënuar.

Në Europë ai ka qenë pjesë e Deportivo La Korunjës. Në total numëron 8 trofe të fituar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot