Rusia pretendon se rrëzoi 251 dronë ukrainas, 61 mbi Detin e Zi

- Bota Sot

Rusia pretendon se rrëzoi 251 dronë ukrainas, 61 mbi Detin e Zi

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të hënën se forcat e saj të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 251 dronë ukrainas gjatë natës, shumica në jugperëndim të vendit.

Sipas tyre, 61 nga këta dronë janë rrëzuar mbi ujërat e Detit të Zi, ndërsa një tjetër ishte duke u drejtuar drejt Moskës.

Njoftimi u publikua në kanalin zyrtar të ministrisë në platformën Telegram.

Megjithatë, autoritetet ruse nuk dhanë informacion mbi dëme të mundshme materiale apo viktima. Po ashtu, nuk u specifikua numri total i dronëve që janë lëshuar nga Ukraina.

Nga ana tjetër, mediat ukrainase raportuan për një shpërthim të madh në një depo nafte në Feodosia, në bregdetin e Krimesë, pas një sulmi të mundshëm me dron.

Tutje thanë se një rezervuar karburanti në depo ka shpërthyer dhe ka shkaktuar zjarr të madh në zonë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot