Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur për situatën e disa lojtarëve që kanë qenë në qendër të vëmendjes kohët e fundit. Në një konferencë për media, trajneri gjerman zbuloi se ka zhvilluar një bisedë me mesfushorin Bersant Celina, duke lënë të hapur mundësinë që ai të rikthehet në përfaqësuese për ndeshjet e ardhshme.
Foda: Kam biseduar me Celinën, mund ta ftojmë për ndeshjet e radhës
“Me Celinën kam pasur një bisedë të këndshme para dy javësh dhe tani është me rëndësi që Celina që të luajë për Kosovën, që ta përfaqësojë Kosovën dhe i kam treguar atij që nëse në të ardhmen, në ndeshje e radhës ka paraqitje të mira, atëherë ka mundësi që të ftohet pasi që momentalisht në ekipin që e kemi është një ekip shumë i mirë dhe është i gatshëm për kundërshtarët e radhës”, theksoi Foda.
Ndërkohë, Foda komentoi edhe deklaratat e Emir Sahitit, duke theksuar se nuk pranon që ndonjë lojtar të flasë në mënyrë indirekte kundër bashkëlojtarëve të tij.
Foda: Sahiti ka folur indirekt keq për lojtarët tjerë
“Te lojtari Emir Sahiti gjendja është pak më ndryshe pasi që unë i kam lexuar prononimet e tij për media dhe ajo që është për mua me rëndësi është që unë nuk e pranoj kur një lojtar indirekt flet keq për lojtarët tjerë, për mua është kjo e pamundshme. Secili lojtar mund t’i ketë pakënaqësitë e tij në kombëtare, a luan apo nuk luan, mirëpo në të ardhmen do të shihet se si do të zhvillohet tutje. Nuk e kam asnjë problem personal me asnjë lojtar, e rëndësishme është që secili lojtar duhet të pranojë vendimet e trajnerit se çfarë vendime marrim ne sepse tani kemi shumë lojtarë në dispozicion, afërsisht 40 lojtarë dhe prej tyre të gjithë ata që i pranojnë vendimet e trajneri janë përzemërsisht të mirëseardhur ”, bëri të ditur Foda.
Kosova përballet këtë muaj me Slloveninë dhe Suedinë në kuadër të ciklit kualifikues të Kampionatit Botëror 2026.