Inter bindet nga Akanji

- Bota Sot

Inter bindet nga Akanji

Manuel Akanji ka fituar shpejt zemrat e tifozëve dhe besimin e drejtuesve te Interi.

Mbrojtësi zviceran, i ardhur në ditët e fundit të merkatos nga Manchester City me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje, është përshtatur menjëherë me sistemin e skuadrës zikaltër, duke treguar siguri, inteligjencë taktike dhe personalitet në prapavijë.

Pas shitjes së Pavard-it te Marseille, afrimi i Akanji-t rezultoi një lëvizje vendimtare. Ai është bërë menjëherë titullar nën drejtimin e trajnerit Christian Chivu, duke fituar vlerësime si nga stafi teknik, ashtu edhe nga shokët e skuadrës dhe tifozëria.

Sipas medieve italiane, Interi tashmë ka nisur punën për të aktivizuar opsionin e blerjes përfundimtare, i cili kap vlerën e 15 milionë eurove. Klubi zikaltër e sheh Akanji-n si pjesë të rëndësishme të projektit afatgjatë, dhe marrëveshja pritet të konkretizohet në javët e ardhshme.

Mbrojtësi 30-vjeçar, i lindur në vitin 1995, ka arritur një akord personal deri në vitin 2029, me një pagë që do të arrijë rreth 4.5 milionë euro në sezon.

Me formën e tij aktuale dhe ndikimin pozitiv në grup, Akanji duket gati të bëhet një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së Interit për vitet në vijim.



Lexoni të gjitha në Bota Sot