Barcelona përballet me një tjetër skandal financiar, këtë herë lidhur me transferimin e brazilianit Malcom në korrik 2018.
Një raport i “Mossos d’Esquadra” zbulon dyshime për parregullsi financiare, që mund të kenë shfrytëzuar këtë marrëveshje për të shmangur pagesën e taksave ndaj shtetit spanjoll. Hetimi fokusohet te një pagesë prej 10 milionë eurosh nga Barça gjatë periudhës 2018-2020 për shërbime të supozuara ndërmjetësimi ndaj “Business Futbol España” (BFE).
Hetuesit dyshojnë se këto shërbime nuk janë ofruar realisht, ose janë faturuar me vlera të fryra, për të justifikuar lëvizje të dyshimta parash. Prokuroria akuzon ish-presidentin Josep Maria Bartomeu dhe drejtues të tjerë të kohës për administrim të paqartë dhe veprime pa miratimin e bordit, duke fshehur informacion të rëndësishëm.
Pikërisht shpërndarja e pagesës për Malcom është kritike: nga 10 milionë, vetëm 1.5 milionë shkuan te lojtari, ndërsa 8.4 milionë përfunduan te BFE, duke ulur ndjeshëm taksat (IRPF) dhe shkaktuar humbje të të ardhurave për Agjencinë e të Ardhurave.
Drejtuesit aktualë, me Laporta në krye, kanë nisur rregullime parandaluese për të shmangur gjobat, por rreziku i një procesi të ri gjyqësor vazhdon të rëndojë mbi klubin.