Anglia kryeson renditjen në grupin K eliminator dhe ka në xhep kualifikimin direkt për në finalet e “Botërorit 2026”.
Por kjo duket se nuk mjafton për të shuar polemikat dhe kritikat në drejtim të trajnerit Thomas Tuchel.
Përkundrazi, ato janë ndezur sërish dhe vazhdojnë të tilla, që pas shpalljes nga ana e teknikut gjerman të listës së futbollistëve që do të ketë në dispozicion për dy ndeshjet e tetorit.
“Tre Luanët” do të luajnë në datën 10 miqësoren kundër Uellsit dhe katër ditë më pas sfidën kualifikuese për Kupën e Botës në transfertën kundër Letonisë.
Për këto përballje, Tuchel ka ftuar 24 lojtarë, duke lënë jashtë dy yjet anglezë, Jude Bellingham dhe Cole Palmer.
Mesfushori i Real Madrid dhe sulmuesi Chelsea nuk u ftuan, ashtu si Jack Grealish dhe Adam Ëharton.
Këta të fundit përfliteshin javët e fundit nga mediat si risitë e mëdha të kombëtares, pas formës së shkëlqyer të tyre në këtë sezon të Premier League.
Ndërkohë, Tuchel ka kthyer në skuadër për dy ndeshjet e radhës, Marcus Rashford, që duket i rilindur pas transferimit te Barcelona.
Po ashtu, tekniku gjerman nuk ka hequr dorë as nga Jordan Henderson, ish kapiteni i Liverpool.
Vetë Tuchel i ka cilësuar vendimet e tij si zgjedhje teknike, ndërsa pavarësisht zhurmës mediatike, deri tani ato kanë rezultuar të gjetura. Pas pesë ndeshjeve në Grupin K eliminator të “Botërorit 2026” ku bën pjesë edhe Shqipëria, Anglia kryeson me pikë të plota dhe mund ta mbyllë matematikisht kualifikimin që në sfidën e ardhshme.