Fitorja e Manchester United kundër Sunderland-it (2-0) në “Old Trafford” i dha pak frymëmarrje Ruben Amorim-it, por pozita e trajnerit portugez mbetet shumë e brishtë.
Një tjetër rezultat negativ mund të sjellë fundin e aventurës së tij në “Theatre of Dreams”, dhe disa legjenda të Premier League janë të bindura se kjo është vetëm çështje kohe.
Ish-mbrojtësi i Liverpool-it, Jamie Carragher, dhe legjenda e United-it, Paul Scholes, ndajnë të njëjtin mendim: puna e Amorim-it është bërë “e paqëndrueshme”.
“Nuk më pëlqen të them që një trajner duhet të shkarkohet, është mungesë respekti dhe një punë shumë e vështirë, por mendoj se puna e Ruben Amorim-it është e paqëndrueshme.
Është e pashmangshme që ai të largohet para Krishtlindjes. Statistikat e tij janë të pabesueshme për një trajner të Manchester United: në 50 ndeshje ka shënuar vetëm dy gola më shumë sesa ka pësuar.”
Edhe Paul Scholes ndau të njëjtin shqetësim:
“Amorim është trajner me cilësi dhe po bën gjithçka për ta përmirësuar situatën, por ndiej që kemi arritur në një pikë ku diçka duhet të ndryshojë.
United zakonisht u jep kohë trajnerëve, por pas ndeshjes kundër Brentford-it mendova: ‘Po qëndron në stol për shumë gjatë’.
Më duket se është vetëm çështje kohe deri në fundin e kësaj aventure.”
Sfida e radhës për United është jashtëzakonisht e vështirë, përballë Liverpool-it, në Anfield më 19 tetor.
Carragher shtoi:
“Amorim duhet të përpiqet të marrë diçka në Anfield, qoftë edhe një barazim. Duhet të gjejë mënyrën për ta ndalur Liverpool-in. Është një mentalitet ndryshe nga ai i Arsenalit, që shkon aty për të fituar kampionatin.”
Situata në kampin e “Djajve të Kuq” mbetet delikate, me një mungesë totale besimi dhe rezultatesh kundër skuadrave të mëdha. Siç tha Scholes:
“United është në një fazë aq të keqe, sa nuk kujtoj herën e fundit që fitoi një ndeshje të madhe.
Ky grup lojtarësh është pa vetëbesim dhe është thuajse e parashikueshme që në Anfield do të kenë vështirësi të mëdha”.