Gatusso shpjegon mungesat

- Bota Sot

Gatusso shpjegon mungesat

Trajneri i Italisë në grumbullimin e lojtarëve ka theksuar rëndësinë për të marrë të 6 pikët në përballjet me Estoninë dhe Izraelin.

Edhe pse mundësitë për të kapur vendin e parë janë të pakta,

Gatusso thekson se nuk duhet hequr dorë nga Play Off për kualifikimin në kupën e botës.

Kombëtarja italiane është grumbulluar në prag të dy ndeshjeve vendimtare të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, kundër Estonisë më 11 tetor dhe Izraelit më 14 tetor.

Aktualisht, e renditur e dyta në Grupin I, me pak mundësi për të kapur Norvegjinë, që kryeson me një diferencë të ndjeshme golash.

Në konferencën për shtyp, trajneri Gennaro Gattuso foli për gjendjen e ekipit, mungesat dhe zgjedhjet taktike për ndeshjet e ardhshme.

“Më vjen keq për Zaccagnin dhe Politanon, por kemi lojtarë që mund të ndihmojnë. Zgjedhjet janë bërë duke menduar për mënyrën si do të luajmë në të dyja ndeshjet,” – tha Gattuso.

Tekniku u ndal edhe te mundësia që Ahanor dhe Tresoldi t’i bashkohen së shpejti ekipit kombëtar, ndërsa e quajti pozitive idenë që ndeshja Milan–Como të zhvillohet në Australi, duke e konsideruar pjesë të futbollit modern dhe një mundësi për rritje ekonomike.

Për mungesën e Federico Chiesës, Gattuso sqaroi se “nuk ka asnjë rast apo sekret. Kam folur gjatë me të, nuk ndihet 100 për qind dhe duhet të zgjidhë disa probleme fizike. E respektoj vendimin e tij.”

Sa i përket sistemit të lojës, Gattuso pranoi se mund të përdorë mbrojtje me tre, edhe pse nuk është moduli i tij i preferuar.

“Një trajner duhet të dijë të përshtatet. Nuk më pëlqen shumë, por ajo që ka rëndësi është çfarë i shkon më mirë skuadrës.”, sqaroi ai.

Ndërkohë, Nicolussi Caviglia dhe Cambiaghi do të kenë rastin e debutimit me fanellën azzurre, me Gattuson që i vlerësoi për ekuilibër, cilësi dhe përkushtim.

Tekniku theksoi gjithashtu rëndësinë e skautimit aktiv, duke u shprehur se “Federata duhet të shpenzojë për të parë sa më shumë ndeshje nga afër”, sepse vetëm kështu mund të shpërblehen lojtarët që e meritojnë.

Në mbyllje, Gattuso paralajmëroi se mund të ketë rotacion në dy ndeshjet, por prioritet mbetet fitorja ndaj Estonisë dhe fokusimi maksimal në çdo seancë stërvitore.

“Duhet të bëjmë detyrën tonë me përqendrim. Nuk fryn ajër i mirë jashtë, por ne duhet të mendojmë për fushën. Vetëm duke fituar do të kemi mundësi të shkojmë në playoff,” – përfundoi trajneri i Italisë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot