Pas barazimit pa gola në “Allianz Stadium”, Massimiliano Allegri ka vlerësuar skuadrën e tij në dhomat e zhveshjes dhe para kamerave, por pa kursyer edhe disa kritika për të nxitur reagimin e lojtarëve.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, trajneri i Milanit ka folur me ton të vendosur, duke theksuar se ndeshje të tilla duhen fituar, jo vetëm barazuar.
Ai ka kërkuar më shumë vendosmëri, personalitet dhe efikasitet në zonën e rrezikut, duke mos përmendur me emra as penalltinë e humbur nga Pulisic, as rastet e shpërdoruara nga Leao, por duke e bërë të qartë mesazhin e tij.
“Kemi bërë hapa përpara në aspektin teknik dhe taktik, por duhet të jemi më të uritur për fitoren,” – ka thënë Allegri, sipas burimeve nga dhomat e zhveshjes.
Trajneri kuq e zi, që ka marrë katër pikë në dy ndeshjet e fundit kundër Napolit dhe Juventusit, kërkon që skuadra të ruajë ritmin dhe të synojë pozitat e para në renditje.
Ai ka vlerësuar faktin që ekipi ruajti portën e paprekur, por ka theksuar se tani është momenti për më shumë konkretizim dhe mentalitet fitues.
Tashmë ekipi do të kërkojë të marrë pikë të plota në shtëpi ku pret fiorentinën, në mënyrë që të qëndrojë në dy vendet e para të kampionatit. Ndërsa Roma që aktualisht mban vendin e dytë do të ketë përballjen me Interin duke ia komplikuar llogaritë. Më i qetë duket se do të jetë Napoli i cili do të udhëtojë drejt Torinos.