Sandro Tonali është rikthyer në Itali, por jo për një transferim të menjëhershëm.
Mesfushori i Newcastle United ka lënë përkohësisht Anglinë për t’u bashkuar me Kombëtaren Italiane, që do të përballet me Estoninë dhe Izraelin në ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2026.
Megjithatë, një rikthim i mundshëm në Serie A mbetet një temë e hapur.
Sipas Goal.com, Tonali është takuar në Milano me agjentin e tij Beppe Riso, ku përveç çështjeve personale dhe të kombëtares, është diskutuar edhe për të ardhmen e tij.
Në horizont duket Juventus, që prej kohësh ka shfaqur interes për ish-mesfushorin e Milanit. Tonali mbetet një dëshirë e vjetër e drejtorit sportiv Giuntoli, dhe emri i tij është ende në listën e bardhezinjve.
Megjithatë, një marrëveshje nuk do të ishte aspak e lehtë: Newcastle e bleu Tonalin për 65 milionë euro në verën e vitit 2023 dhe ai ka ende kontratë deri në 2028, me një pagë që arrin në 9 milionë euro në sezon. Tonali ndihet mirë në Premier League, por nuk do ta refuzonte një rikthim në Itali, nëse do të kishte një projekt të duhur sportiv..