Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është zgjedhur anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s, një prej komiteteve më të rëndësishme të organizatës më të madhe të futbollit botëror.
Komiteti për Marrëdhënie Institucionale ka një rol thelbësor në strukturat e FIFA-s, pasi këshillon dhe ndihmon organizatën në ndërtimin e marrëdhënieve me institucionet më të larta botërore, përfshirë Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kombet e Bashkuara (OKB) dhe agjencitë e saj si UNESCO e UNICEF, si dhe organizatat qeveritare e joqeveritare në mbarë globin.
Nëpërmjet këtij komiteti, FIFA synon të ndërtojë ura bashkëpunimi për të promovuar vlerat e futbollit si përfshirja, barazia, paqja dhe zhvillimi i qëndrueshëm nëpërmjet sportit.
Zgjedhja e Ademit në këtë pozicion të lartë përfaqëson një dëshmi të rritjes së rolit të Kosovës në futbollin ndërkombëtar dhe një hap të rëndësishëm drejt avancimit të diplomacisë sportive kosovare.
Pas emërimit, Ademi është shprehur se ky është një nder i madh për të dhe për FFK-në:
“Jam i nderuar që do të kontribuoj në një komitet kaq të rëndësishëm të FIFA-s. Ky është një sukses për gjithë futbollin kosovar dhe një dëshmi se puna jonë po vlerësohet në nivelet më të larta ndërkombëtare,” ka deklaruar ai.
Ky rol i ri pritet të forcojë më tej pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe të hapë mundësi të reja bashkëpunimi dhe zhvillimi në të ardhmen.
Kujtojmë se Agim Ademi është gjithashtu anëtar i Komitetit HatTrick të UEFA-s, një prej organeve kryesore të kësaj organizate evropiane.