Cristiano Ronaldo ka folur hapur për të ardhmen e tij në futboll, duke pranuar se fundi i karrierës po afrohet, por duke theksuar se ende ndjen dëshirë dhe motivim për të vazhduar.
Në një ceremoni në Portugali ku mori çmimin “Globe Prestige”, kapiteni i Portugalisë u ndal edhe te tema e daljes në pension. “Dua të vazhdoj të luaj për disa vite të tjera, jo shumë… duhet të jem i sinqertë. Ende po jap maksimumin dhe po ndihmoj klubin tim e Kombëtaren,” – u shpreh Ronaldo.
Ai shtoi se është i vetëdijshëm për kufizimin e kohës në futbollin profesionist, por se po e shijon çdo moment. “E di që nuk kam shumë vite për të luajtur, por kohën e pakët që kam, dua ta shijoj në maksimum. Kur të vijë momenti i pensionit, do të largohem i përmbushur sepse dhashë gjithçka,” – tha 40-vjeçari.
Ronaldo nënvizoi se fokusi i tij mbetet tek e tashmja: “Unë jetoj ditë pas dite, pa plane afatgjata. Qëllimi ynë është të fitojmë dy ndeshjet e ardhshme dhe të sigurojmë kualifikimin në Kupën e Botës.”
Portugalia do të përballet me Irlandën më 11 tetor dhe me Hungarinë më 14 tetor në stadiumin “José Alvalade” në Lisbonë.