Dekreti i Putinit shënjestron asetet e kompanive evropiane që janë ende aktive në Rusi

- Bota Sot

Dekreti i Putinit shënjestron asetet e kompanive evropiane që janë ende aktive në Rusi

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e nënshkroi një dekret javën e kaluar, i cili duket se synon asetet e kompanive të huaja që vazhdojnë të operojnë në Rusi dhe që ende nuk janë sekuestruar nga Qeveria ruse.

Dekreti kërkon përshpejtimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore për të siguruar kapacitetin e mbrojtjes së vendit, por i referohet drejtpërdrejt “veprimeve armiqësore” të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera e organizatave të lidhura me to, të cilat synojnë të vendosin “masa kufizuese kundër qytetarëve të Federatës Ruse dhe subjekteve juridike ruse”.

Gjithashtu ky dekret përcakton një procedurë të veçantë për regjistrimin, shitjen dhe transferimin e aseteve, përfshirë edhe një afat të përshpejtuar, dhe e emëron bankën PSB (më parë e njohur si Promsvyazbank) si organizatoren e vetme të shitjeve të pronave.

Putini e nënshkroi këtë dekret si përgjigje ndaj shqyrtimit nga BE-ja të një skeme për t’i dhënë Ukrainës miliarda dollarë në formë huaje, bazuar në asetet e ngrira ruse në BE, të cilat janë bllokuar qëkurse Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në fillim të vitit 2022.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përmendi idenë e një “huaje dëmshpërblimi” në Parlamentin Evropian në fillim të shtatorit.

Meqë Shtetet e Bashkuara kanë lënë të kuptohet se mund të mos jenë të gatshme ta financojnë Ukrainën për kohë të gjatë për nevojat e saj për t’u mbrojtur, Bashkimi Evropian po shqyrton mënyra të ndryshme për ta mbuluar një pjesë më të madhe të kostove në vitet 2026 dhe 2027, duke hamendësuar se lufta do të vazhdojë.

Von der Leyen i dha argumentet e saj para liderëve të BE-së, të cilët u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në një samit joformal në Kopenhagë, më 1 tetor, për të diskutuar për Ukrainën.

Ministrat e Financave të BE-së pritet të shqyrtojnë më shumë hollësi rreth këtij plani kur të mblidhen në Luksemburg javën e ardhshme.

Edhe pse ende nuk janë përcaktuar të gjitha mekanizmat e huas, disa elemente tashmë janë të qarta.

Asetet ruse - të ngrira që prej pushtimit të plotë në vitin 2022 - do të përdoren për lëshimin e obligacioneve. Të ardhurat nga këto obligacione do të përdoren për rindërtimin e Ukrainës në formën e një huaje dëmshpërblimi.

Ukraina do të ishte e detyruar t’i kthente paratë vetëm pasi Rusia t’i ketë paguar dëmet e luftës, sipas një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ukraina do t’ia ripaguante BE-së huan e dëmshpërblimeve për t’i ripaguar mbajtësit e obligacioneve, dhe më pas asetet do të zhbllokoheshin. Nëse kjo skemë zbatohet, Ukraina mund t’i marrë 170 deri në 180 miliardë euro në këste gjatë viteve 2026 dhe 2027, sipas një dokumenti diskutimi të përgatitur nga Komisioni për vendet anëtare të BE-së, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë (REL).

“Përgjigjja simetrike” e Kremlinit

Kremlini e ka quajtur nismën evropiane formë konfiskimi dhe ka kërcënuar me “përgjigje simetrike”.

Megjithatë, ekzistojnë dallime themelore midis planit të BE-së për huan e dëmshpërblimeve dhe konfiskimit të aseteve të kompanive evropiane që vazhdojnë të operojnë në Rusi, bashkë me privatizimin e menjëhershëm të tyre.

Derisa masa evropiane nuk përfshin asnjë shtetëzim të aseteve federale ruse, dekreti i Putinit duket se synon shtetëzimin e pronave të kompanive private.

Vlerësohet se rreth 800 kompani perëndimore evropiane vazhdojnë të operojnë në Rusi.

Disa prej tyre përmenden në dekret, përfshirë degën ruse të Raiffeisen Bank International të Austrisë, UniCredit të Italisë dhe prodhuesin gjerman të çokollatës Ritter Sport.

Rregullatorët evropianë e kanë nxitur bankën Raiffeisen që nga viti 2022 të largohet nga tregu rus, por ajo ka ngurruar të heqë dorë nga fitimet e mëdha që ka gëzuar deri vonë si një institucion financiar pothuajse monopolist, që mundëson dërgimin e pagesave nga Rusia në Evropë.

Ajo gjithashtu ka hezituar ta humbasë mundësinë për ta llogaritur degën e saj ruse si humbje.

Një shitje e iniciuar nga vetë banka është praktikisht e pamundur për shkak të kushteve që përcaktojnë mënyrën se si të huajt mund të shesin asetet e tyre në Rusi. Një dekret tjetër i nënshkruar nga Putini kërkon zbritje prej 50 për qind dhe një kontribut të detyrueshëm prej 10 për qind në buxhetin rus. / REL



Lexoni të gjitha në Bota Sot