Everton Ribeiro, mesfushori sulmues 36-vjeçar, aktualisht te Bahia në elitën e futbollit brazilian, bëri një njoftim të papritur dhe emocional për ndjekësit e tij në rrjetet sociale. Ai, që përfaqësoi Brazilin në “Copa America” 2015 dhe 2021, si dhe në Botërorin 2022, shkroi në Instagram:
“Përshëndetje miq, duhet të ndaj një lajm me ju. Rreth një muaj më parë m’u diagnostikua kanceri i tiroides.
Sot kam bërë operacion dhe gjithçka shkoi mirë, falë Zotit. Jam ende në rikuperim, me besim dhe mbështetjen e familjes dhe tuajën. Faleminderit për çdo lutje dhe dashuri; t’ju kem pranë bën gjithë diferencën. Jam i sigurt që do ta fitojmë këtë betejë së bashku”.
Mesfushori publikoi foton me gruan Marília Nery dhe dy fëmijët e tij të vegjël, Guto dhe Antonio, duke parë statujën ikonike të Krishtit Shpëtimtar në Rio de Janeiro. Fansat reaguan menjëherë me mbështetje: “Zoti është me ty,” shkruante njëri, ndërsa një tjetër: “Zoti të bekoftë, kapiten! Shpejt do të kthehesh i shëruar 100%”.
Everton Ribeiro, i cili ka luajtur më parë për Cruzeiro, Al-Ahli Dubai, Coritiba, Corinthians dhe Flamengo (275 paraqitje dhe 30 gola), kishte nënshkruar me Bahia kontratë 2-vjeçare në janar 2024. Ai ka luajtur 22 ndeshje për Brazilin nga viti 2014 deri më 2022 dhe ishte i lidhur me Manchester United e Real Madrid në vitin 2015.