Vllaznia luan sot të parën kundër Interit në Milano

- Bota Sot

Vllaznia luan sot të parën kundër Interit në Milano

Vllaznia e futbollit të femrave ka sot një ditë shumë të rëndësishme, pasi do të zbresë në fushë për raundin e dytë të “Europa Cup”, kompeticioni më i ri i krijuar nga UEFA.

Kampionet e Shqipërisë do të luajnë sfidën e parë kundër Interit, ndeshje që do të zhvillohet në orën 18:00 në “Youth Development Training Center” në Milano.Vllaznia vjen në këtë përballje pas suksesit në raundin e parë ndaj skuadrës ukrainase Kolos Kovalivka.

Vajzat kuqeblu do të tentojnë të hedhin një tjetër hap përpara për të vijuar rrugëtimin historik në “UEFA Women’s Europa Cup”.

Gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit ndaj Interit, që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, më 15 tetor, në orën 18:00.

Si Vllaznia, gjithashtu edhe Interi vijnë në “Europa Cup”, pasi janë eliminuar nga kompeticioni më prestigjioz, Liga e Kampioneve.

Kujtojmë që për vajzat kuqeblu kjo nuk është hera e parë që sfidojnë emra të rëndësishëm të futbollit europian, pasi gjatë edicioneve të kaluara në Champions,

Vllaznia është përballur madje edhe me klube më të mëdha, si Real Madridi apo Juventusi. Skuadra shkodrane është dominuese absolute në futbollin e femrave në Shqipëri, aty ku numëron 12 tituj kampionë radhazi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot