Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ndaj Sllovenisë dhe Suedisë, që zhvillohen më 10 dhe 13 tetor.
Përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion të gjithë futbollistët, ndërsa Lumbardh Dellova u aktivizua vetëm në ushtrimet më të lehta për të shmangur ngarkesën.
Stafi teknik u fokusua në aspektin taktik, me theks të veçantë në tranzicionin e shpejtë nga mbrojtja në sulm.
Atmosfera në kampin e Dardanëve është e shkëlqyer, derisa futbollistët po tregojnë përkushtim të lartë dhe dëshirë maksimale për të arritur fitore në ndeshjen e së premtes kundër Sllovenisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Futbollistët Leard Sadriu dhe Kreshnik Hajrizi janë shprehur optimistë për sfidën ndaj sllovenëve, duke theksuar se ekipi është i motivuar dhe gati të japë maksimumin.
Sadriu ka vlerësuar se fitorja e fundit ndaj Suedisë ka ngritur ndjeshëm moralin e ekipit.
“Rezultati ndaj Suedisë ka treguar se kemi cilësi për t’u përballur me përfaqësuese të forta. Çdo ardhje e re në skuadër është rritje e cilësisë.
E dimë që Sllovenia është kundërshtar i fortë, por besoj se kemi grup shumë të mirë dhe shpresojmë në rezultat pozitiv”, ka deklaruar mbrojtësi i Argesit.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje për përkrahje të madhe nga tifozët.
“Tifozët kanë rol të rëndësishëm për ne. Prania e numrit të madh të ‘Dardanëve’ do të jetë ndihmë e madhe për të dhënë maksimumin në fushë”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, mbrojtësi i Sionit, Kreshnik Hajrizi, ka theksuar se atmosfera në kamp është shumë pozitive.
“Është ndjenjë e mirë të jesh pjesë e Kosovës. Atmosfera është shumë e mirë dhe përgatitjet po shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Shpresoj të arrijmë rezultat të mirë ndaj Sllovenisë”, ka thënë Hajrizi.
Ai ka shtuar se Kosova duhet të paraqitet me të njëjtin mentalitet si në ndeshjen ndaj Suedisë.
“Kemi reaguar mirë pas ndeshjes me Zvicrën. Duhet të hyjmë me të njëjtin mentalitet ndaj Sllovenisë dhe të synojmë tri pikët. Pa tifozë nuk jemi asgjë, prandaj presim përkrahje masive”, ka theksuar ai.
Kosova më 10 tetor do të përballet me Slloveninë në “Fadil Vokrri”, ndërsa tri ditë më vonë do të udhëtojë në Goteborg për ndeshjen kundër Suedisë. Një fitore në Prishtinë do të rriste ndjeshëm gjasat e Dardanëve për të siguruar së paku ‘play-off’-in drejt Kupës së Botës “SHBA, Meksikë & Kanada 2026.