Interi ka nisur punën për rinovimin e repartit të mbrojtjes.
Me kontratat e Açerbit dhe De Vrij që po afrojnë fundin, drejtuesit zikaltër kanë filluar kërkimet për të siguruar pasardhësit e tyre.
Objektivi është i qartë: të ndërtohet një mbrojtje e re, më e re në moshë dhe me perspektivë afatgjatë. Në krye të listës që ndodhet në duart e Marttës dhe Ausilios është emri i Tarik Muharemoviç, 22-vjeçari i Sasuolos që po spikat në Serie A për pjekurinë taktike dhe fuqinë fizike. Skautët e Interit e kanë ndjekur disa herë dhe raportet janë mjaft pozitive.
Megjithatë, operacioni nuk është i lehtë. Juventus zotëron ende 50 % të të drejtave mbi kartonin e lojtarit, çka e komplikon marrëveshjen dhe rrit ndjeshëm vlerën e tregut. Sasuolo nuk ka ndërmend të bëjë lëshime për një prej talenteve më premtues të kampionatit. Përveç Muharemoviçit, zikaltërit po monitorojnë edhe disa alternativa.
Në listë janë Oumar Solet nga Udinese, Jay Idzes – ish-mbrojtës i Venecias, tani në rritje të shpejtë -, Ordonez i Bryzh dhe Konstantinos Koulierakis nga Wolfsburg.
Të gjithë janë profile të reja, të afta të përshtaten me sistemin e lojës që kërkon Kivu. Strategjia e Interit është e qartë: të përfitohet nga merkatoja e verës për të siguruar një mbrojtës që mund të jetë gati menjëherë, por edhe të garantojë kontinuitet për vitet e ardhshme.
Klubi kërkon një lojtar që të mund të integrohet shpejt në grup, por pa pasur nevojë për eksperimente të kushtueshme. Në “Apiano Xhentile” ka bindje se procesi i rinovimit është i domosdoshëm.
Mosha mesatare e mbrojtësve aktualë është mbi 32 vjeç dhe sezoni i gjatë kërkon freski, shpejtësi dhe alternativë. Prandaj “kasting”-u është hapur – dhe emri i parë në skenë është ai i Muharemoviç.