Kombëtarja e Kosovës po përgatitet për sfidën e xhiros së tretë në kuadër të Grupit B të kualifikimeve për Kampionatin Botëror në futboll.
Djelmoshat tanë synojnë fitoren e radhës dhe të përforcojnë pozitën e dytë.
Zvicra kryeson me 6 pikë, pasojnë Kosova me 2, Suedia 1 dhe Sllovenia me 1 pikë.
Ndeshja luhet të premten (pasnesër, 20.45) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë”.
Selektori i parë i Kosovës në periudhën 1991 - 1996, Ajet Shosholli, pret një reagim identik si ndaj Suedisë edhe në përballje me Slloveninë.
“Mendoj se djelmoshat tanë patën një ndeshje të shkëlqyeshme me Suedinë.
Ishte rezultat shumë i mirë.
Një fitore me plot meritë.
Kjo fitore do të jetë një stimulim për ndeshjen e radhës me Slloveninë.
Sigurisht djelmoshat tanë do të tentojnë ta përsërisin ndeshjen paraprake edhe në ditën e premte me Slloveninë”, thotë Shosholli për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Trajneri i trajnerëve në Kosovë, shprehet se sllovenët në vitet e fundit kanë investuar shumë në futbollistë dhe ka përmendur edhe disa futbollistë të saj.
“Është një Slloveni e cila edhe pse deri vonë ka pasur suksese me shumë më sporte tjera, me sporte dimërore – sportet e bardha, ata kohët e fundit i kanë kushtuar futbollit rëndësi, ku kanë krijuar një kombëtare respektabile.
Në mesin e tyre ka shumë futbollistë cilësorë njëri ndër ta është edhe Benjamin Sheshko, i cili është transferuar në Premier League, transferimi i tij ka qenë diku 100 milionë euro.
Kanë futbollistë tjerë, si Lovriq, portieri Oblak shumë cilësorë, kështu që kanë krijuar një kombëtare mjaft të mirë më në krye me trajnerin Matijazh Kek, i cili ka punuar disa vende të tjera dhe në Kroaci, me Rijekën ka fituar titullin, edhe në Austri ka pas shumë suksese si trajner”, ka nënvizuar Shosholli.
Kosova është më kompletuar se në përballje me Suedinë për faktin se janë kthyer Edon Zhegrova e Milot Rashica, por mungon kapiteni Amir Rrahmani.
“Gjithsesi kemi të bëjmë me një kombëtare serioze e cilësore, por, mendoj se djelmoshat tanë janë më cilësorë, do të bëjnë çmos që të fitojnë këtë ndeshje.
Duhet të themi se kemi disa futbollistë që nuk i kemi pas në ndeshjen e fundit, si Rashica e Zhegrova, e të cilët janë kthyer, por mungon kapiteni Rrahmani Hadërgjonaj, Paçarada.
Megjithatë besoj se kemi një grup cilësorë, në mesin e kontingjentit që kemi, të cilët u dëshmuan me Suedinë ku patëm edhe disa mungesa.
Por, futbollistët tjerë që kanë qenë deri me tani në bankë rezervë patën paraqitje shumë të mirë dhe plotësuan kërkesat e trajnerit. I dëshmuan cilësitë të cilët i kanë, si Ilir Krasniqi, Dion Gallapeni, Albion Rrahmani dhe me këta që janë kthyer, jemi një ekip mjaft e fortë dhe cilësore.
Shpresoj në fitoren e djemve tanë, gjithnjë duke u mbështetur nga tifozët Dardanë, ku besoj se do të jetë në numër të madh që t’i përkrahin djelmoshat tanë”, ka përfunduar Shosholli..