Dita Botërore e Postës festohet çdo vit më 9 tetor. Ngjarja u shpall nga Kongresi Universal Postar i vitit 1969 në Tokio si një mjet për të shënuar përvjetorin e krijimit të Unionit Universal Postar (UPU) në vitin 1874.
Qëllimi i Ditës Botërore të Postës është të rrisë ndërgjegjësimin për rolin e Postës në jetën e përditshme të njerëzve dhe bizneseve, si dhe për kontributin e saj në zhvillimin global shoqëror dhe ekonomik, raporton KosovaPress.
Si rezultat, vendet anëtare të UPU-së inkurajohen të organizojnë aktivitetet e tyre kombëtare për të festuar ngjarjen, duke përfshirë gjithçka, nga prezantimi ose promovimi i produkteve dhe shërbimeve të reja postare, deri te organizimi i ditëve të hapura në zyrat postare, qendrat postare dhe muzetë postare.
Unioni Universal Postar (UPU) shënon sivjet këtë ditë me temën "Postim për njerëzit: shërbim lokal, shtrirje globale".
Kujtojmë, dokumenti i parë i shërbimit postar është gjetur në Egjipt dhe daton rreth 255 vjet përpara lindjes së Krishtit. Sipas këtij dokumenti, shërbimi postar është prezent në të gjithë kontinentet në formë të mesazheve, për dërgimin e tyre udhëtohej me ditë e muaj nga një kontinent në tjetrin.
Ky lloj shërbimi sigurisht erdhi duke u zhvilluar e përsosur si një nevojë e domosdoshme e komunikimeve universale, ku filluan të përdoren kalorësit dhe karrocat me kalorës dhe në raste të veçanta të shoqëruar me forca të tjera.
Futja e teknologjive të reja të komunikimit ndërmjet vendeve dhe njerëzve, diktuan nevojën e përsosjes të mëtejshme te shërbime postare në mbarë botën, duke kaluar në përdorimin e teknologjive moderne edhe për realizimin e shërbimeve postare, të cilat ndikuan shumë shpejt në rritjen e shpejtësisë të lëvizjes së objekteve postare.
Me gjithë shpejtësinë e madhe të zhvillimit të komunikimeve elektronike, roli i postës vazhdon të jetë i pranishëm kudo në botë si një shërbim i domosdoshëm dhe shumë i përdorur në çdo vend.