Pas barazimit të tensionuar ndaj Juventusit, atmosfera në dhomat e zhveshjes të Milanit ka qenë e ndezur.
Trajneri Massimiliano Allegri, i njohur për kërkesat e larta ndaj lojtarëve të tij, ka kritikuar ashpër Rafael Leaon para disa shokëve të skuadrës, duke i kërkuar më shumë vendosmëri dhe intensitet në lojë.
Sipas burimeve pranë klubit, Allegri i ka bërë të qartë sulmuesit portugez se “me këtë qëndrim nuk mund të jetë titullar te Milani”.
Në fakt, Leao nuk ka qenë në formën më të mirë që prej rikthimit nga dëmtimi në pulpë, dhe dy gabimet e tij të rënda në fund të sfidës kundër Juventusit e irrituan trajnerin bardhezi.
Në minutat e fundit, Leao humbi dy raste të pastra për gol pas asistimeve të Modric-it, duke bërë që Allegri të shpërthente në pankinë dhe më pas në dhomat e zhveshjes. “Nëse nuk ndryshon qëndrimin, rrezikon stolin për një kohë të gjatë”, thuhet se i ka thënë ai ‘yllit’ portugez.
Në ambientin e Milanit, situata po shihet me kujdes. Allegri e vlerëson Leaon për talentin e tij, por kërkon më shumë vazhdimësi dhe pjekuri. Në sistemin 3-5-2 të trajnerit, konkurrenca është e fortë: Gimenez dhe Nkunku po tregojnë formë të lartë dhe janë gati t’i marrin vendin numrit 10.
Leao, aktualisht me kombëtaren portugeze në Lisbonë, ka shansin të reflektojë dhe të kthehet më i motivuar. Në moshën 26-vjeçare, ndodhet përballë një momenti kyç në karrierë: të bëhet lideri që Milani pret prej vitesh, ose të mbetet një talent i madh që nuk e shfrytëzoi plotësisht potencialin e tij.