Përplasi kokën te reklamat dhe theu qafën

- Bota Sot

Përplasi kokën te reklamat dhe theu qafën

Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e futbollit në kampionatin e dytë kinez.

Futbollisti togolez, Samuel Asamoah, që luan për Guangxi Pingguo, ka pësuar një dëmtim të tmerrshëm gjatë një ndeshjeje, pasi ka goditur kokën në një pankartë reklamuese me drita LED pranë vijës anësore të fushës.

Sipas raportimeve zyrtare nga klubi kinez, 31-vjeçari ka thyer qafën dhe ka pësuar dëmtime serioze në nerva, pas një përplasjeje të dhunshme me një kundërshtar.

Asamoah shtyhet gjatë një dyluftimi për topin dhe humbet ekuilibrin, duke u përplasur me kokë në strukturën metalike të reklamës.

Pas incidentit, lojtari është transportuar menjëherë në spital, ku është operuar urgjentisht për të shmangur pasoja më të rënda. Sipas diagnozës së parë, Asamoah është në rrezik të lartë për paralizë të pjesshme ose të plotë (paraplegji) dhe do të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit.

Në një njoftim të mëvonshëm, klubi Guangxi Pingguo ka konfirmuar se ndërhyrja kirurgjikale ka përfunduar me sukses dhe se gjendja e tij është e qëndrueshme, megjithëse mjekët nuk kanë dhënë ende një parashikim të qartë për rikuperimin afatgjatë.

Asamoah, që ka përfaqësuar edhe kombëtaren e Togos, është një prej futbollistëve afrikanë më me përvojë në ligat aziatike. Karriera e tij tani rrezikon të ndërpritet për shkak të këtij dëmtimi tragjik, që ka hapur edhe debat mbi masat e sigurisë në stadiumet kineze dhe afërsinë e paneleve reklamuese me fushën e lojës.

Tifozët dhe bashkëlojtarët e tij kanë dërguar mesazhe mbështetjeje në rrjetet sociale, duke uruar që Asamoah të mund të rimëkëmbet plotësisht pas këtij aksidenti të tmerrshëm.



Lexoni të gjitha në Bota Sot