Borxhe shumëmilionëshe ndaj disa klubeve europiane

- Bota Sot

Borxhe shumëmilionëshe ndaj disa klubeve europiane

Sipas të dhënave të publikuara nga gazeta katalanase ‘Sport’, të nxjerra nga raporti financiar i Barcelonës për periudhën e përfunduar më 30 qershor 2025, klubi ‘blaugrana’ ende ka për të paguar mbi 115 milionë euro ndaj klubeve të ndryshme për transferime të kryera gjatë viteve të fundit.

Ndërkohë, vetë Barcelona ka për të marrë rreth 64 milionë euro nga shitjet e lojtarëve.

Tri transferimet më të kushtueshme që vazhdojnë të rëndojnë bilancin janë ato të Raphinha-s, Robert Lewandowski-t dhe Jules Koundé-së.

Për brazilianin, të transferuar nga Leeds United për 58 milionë euro, katalanasit u detyrohen anglezëve 41,9 milionë euro.

Ndërsa për sulmuesin polak, të ardhur nga Bayern Munich për 45 milionë euro, Barcelona ka ende për të shlyer 20 milionë euro. Po ashtu, për mbrojtësin francez Koundé, marrë nga Sevilla për 50 milionë euro, borxhi i mbetur është 24,5 milionë euro.

Raporti thekson gjithashtu detyrime më të vogla, si 13,3 milionë euro ndaj Manchester City-t për Ferran Torres, 8 milionë euro ndaj Betis-it për Emerson Royal dhe shuma më të vogla ndaj klubeve polake e gjermane për bonuset e Lewandowski-t. Mes këtyre borxheve përfshihet edhe Sportingu i Lisbonës, përmes mekanizmit të solidaritetit në transferimin e Raphinha-s.

Nga ana tjetër, ndër klubet që i detyrohen Barcelonës janë Porto (6,7 milionë euro për Nico González), Al Ahli (4,1 milionë për Kessié), Shakhtar Donetsk (3,1 milionë për Marlon) dhe Braga (3 milionë për Pau Víctor).

Pavarësisht përpjekjeve për të ulur shpenzimet, raporti financiar dëshmon se vështirësitë ekonomike të Barcelonës vazhdojnë, me një borxh që mbetet ndër më të lartët në futbollin europian.



Lexoni të gjitha në Bota Sot